Familjarët e Besmir Hidës, i cili u ekzekutua të martën ndërsa pinte kafe në Lushnje, akuzojnë Policinë e Shtetit se nuk ka bërë asgjë për të ndaluar një vrasje të paralajmëruar.

Kunati i viktimës, Fatos Latifi, i cili dy vite më parë humbi dhe të birin, Zamir Latifin thotë se kanë raportuar vazhdimisht në polici lëvizjet e dyshimta të atyre që i akuzojnë si atentatorë.

“Policia këtu është zero. I kemi raportuar për vendndodhjen e tyre, tani personat që ne dyshojmë, ata janë grup i madh, shteti e di shumë mirë. Ne i kemi dhënë një video shtetit, që kur është bërë organizimi, ku është bërë organizimi. Kur u vranë çunat, deri tani nuk është bërë asnjë lloj arrestimi “, shprehet Fatos Latifi, kunati i viktimës.

Dy vrasjet e Latifitit dhe Hidës dyshohen si të lidhura me larjet e hesapeve mes dy grupeve rivale të Aldo Bares dhe Laert Haxhiut, gjë që familjaret e hedhin poshtë. Latifi tregon se përse po e akuzojnë sot policinë.

“Makina e policisë nuk ka qenë më tepër se 20 metra larg nga vendi ku u bë masakra. Po e njëjta gjë ndodhi edhe aty si para dy vitesh. E bënë vrasjen, vajtën për në makinë , 5 minuta nuk u ndizej makina atentatorëve dhe për pesë minuta mund të vish nga rrogozhina aty, jo nga ku ishte policia deri aty”, tregon Fatos Latifi.

Dy viktimat që u ekzekutuan me diferencë kohore prej 2 vitesh ishin dajë e nip. Zamir Latifi njihej në Lushnje si mik i ngushtë i Aldo Bares, por  i ati thotë se familja e tij nuk ka lidhje me larje hesapesh.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA