Deri në vitin 2001, në godinën ku sot ndodhet Kontrolli i Lartë i Shtetit, në katin e parë, ka pasur një mensë ku hanin një vakt ushqim kupola drejtuese e policisë së shtetit dhe asaj të Ministrisë së Brendshme.

Kjo ishte një formë shpërblimi nga ana e shtetit për punën e tyre. Por, kishte edhe nga ata punonjës policie të cilët zgjidhnin të mos hanin vaktin e ushqimit, por në fund të çdo muaji të merrnin vaj dhe oriz për familjet e tyre.

Një vendim i qeverisë në shkurt të vitit të kaluar, urdhëron që të gjithë punëdhënësit të sigurojnë një mensë për punonjësit e tyre, në të kundërt t’i shpërblejë ata me 300 lek të reja për një vakt, ose me 500 lek të reja kur punonjësi trajtohet me dy vakte. Këtu përfshihen edhe punonjësit e policisë, për të cilët shpesh çdo qeverinë ka premtuar një trajtim më ndryshe nga pjesës tjetër e administratës.

“Fatkeqësisht ky vendim në policinë e shtetit nuk është zbatuar. Sot e kësaj ditë punonjësit e policisë vazhdojnë akoma të mos trajtohen me një vakt ushqim”, shprehet Sadetin Fishta.

Por trajtimin me ushqim për çdo efektiv parashikon edhe ligji për policinë e shtetit.

“Në pikën 1 gërma C, thotë që trajtohen me ushqim punonjësit e policisë, pra i jep të drejtë punonjësit të policisë të trajtohet me ushqim, nga punëdhënësi. Pra këtu nuk ka diferencim, thotë të gjithë punonjësit e policisë”, ka thënë Fishta.

Për të vënë në zbatim këtë nen të ligjit, tre vite dhe konkretisht në 2017 del vendimi i qeverisë.

“Ky vendim në mënyrë selektive ka përcaktuar dy kategori punonjësish që trajtohen me ushqim. Ka përcaktuar në pikën 1 gërma A punonjësit e strukturave të veçanta të policisë së shtetit dhe në pikën B, të gjithë studentët dhe kursantët dhe instruktorët në institucionet arsimore”, tha Fisha.

Një ligj dhe dy vendime qeverie, nuk arritën dot të siguronin një vakt ushqim për të gjithë punonjësit e policisë. Ata nuk janë trajtuar as me shpërblim financiar, si formë kompensimi për mungesën e menzave , në një kohë që ligji ua jep këtë të drejtë e cila nuk ka asnjë informacion se përse nuk respektohet.

Top Channel