I ftuar ditën e sotme në emisionin Top Talk ishte kreu i partisë së PBDNj-së, Vangjel Dule, i cili foli rreth situatës politike në vend.
Pasi e cilësoi Edi Ramën si mishërimin e problemit të krizës në vendin tonë, Dule u shpreh se ajo çfarë pritet nga kryeministri i vendit është më elementarja e mundshme: përgjegjshmëria politike.
“Një politikan, i cili sistematikisht ka dështuar në arritjen e objektivit strategjik për vendin e vet, për popullin e vet duhet vetë të kishte ndërmarrë nismën e dorëheqjes. Jemi sërish sivjet, për të katërtin, në mos të pestin vit radhazi që po dështojmë në çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian, që është objektivi i objektivave të këtij vendi, të kësaj shoqërie dhe të qytetarëve të vendit”, u shpreh ai.
Për të mbështetur tezën e tij të zgjidhjes së krizës, pra dorëheqjen e Ramës, Dule kreu një paralelizëm me rastin e ish-kryeministres Theresa May.
“Theresa May e cila pasoi Cameron- in në Britaninë e Madhe, pasi dështoi në mënyrë të përsëritur një herë, dy herë, me varianti e parë, me variantin alternativ në parlamentin e vet, në bisedime me Komisionin e Bashkimit Evropian për të dhënë zgjdihje, i lëshoi vendin pasardhësit, i cili vazhdon me përpjekjet e veta për arritjen e këtij objektivi. Kjo është përgjegjshmëria politike. Ky njeri pra , që në të njëjtën kohë nuk arrin asnjë hap përpara për arritjen e objektivit strategjik, i cili e ka etiketuar vendin si narko-shtet në çdo raport ndërkombëtar, që ka si objekt aktivitetin kriminal të kultivimit dhe të trafikimit të lëndëve narkotike, ky njeri i cili e çoi vendin që të përshkruhej në Bundestagun gjerman si një vend me jetë jo të qëndrueshme politike, të trazuar, që kërkon zgjdihje , a ka arsye që të qëndrojë më në postin e kryeministrit?”, tha Dule.
Më tej shtoi:
“Fati i një vendi nuk mund t’i lihet gjithnjë dëshirave të një individi , i cili edhe në rast se është legjitimisht i zgjedhur , jo në rastin e zotit Rama që nuk është legjitimisht i zgjedhur, siç u provua nga shumë përgjime , të cilat asnjëherë nuk u përgënjeshtruan zyrtarisht nga zoti Rama. Rrjedhimisht është vullneti i një shoqërie, i zgjedhësve, por në të njëjtën kohë edhe i partnerëve, trysnia e të cilëve, si reagimi qytetar edhe komuniteti ndërkombëtar do ta çojë dashur pa dashur Ramën në ndërmarrjen e atij hapi që duhet ta kishte bërë me kohë: dorëheqjen”, përfundoi Dule.
Top Channel