River plate fitoi derbin e zjarrtë me Boca Jr në Kupën Libertatodes dhe i afrohet ndjeshëm finalet së kompeticionit.
Në stadiumin Monumental të Buenos Airesit, kampionët në fuqi iu imponuan rivalëve të përjetshëm të tyre duke i mundur me rezultatin 2-0 në gjysmëfinalen e parë që u zhvillua pa asnjë lloj incidenti duke qenë se ishin marrë masa të forta sigurie ku ishin angazhuar 2000 forca policie.
River Plate e mori avantazhin në këtë sfidë gjysmëfinale që në minutën e 7 kur Borre shënoi nga pika e bardhë e 11 metërshit. Në minutën e 70 të sfidës erdhi edhe goli i dytë për River Plate i shënuar nga Hernandez, ndërkohë që Boca Jr e mbylli ndeshjen me 10 futbollistë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Capaldos.
Nuk ishte i pranishëm në këtë derbi të parë argjentinas në Kupën Libertadores, Daniele De Rossi që ishte i dëmtuar, kështu që ai e ndoqi sfidën nga tribuna.
Ndeshja e kthimit do të luhet në 23 tetor në Bombonera, ndërkohë që gjysmëfinalja tjetër e Kupës Libertadores është një derbi brazilian, Gremio-Flamengo. Finalja e këtij kompeticioni do të luhet në 23 nëntor në Santiago të Kilit.
Top Channel