45 kryepolicët që formojnë kupolën e policisë së shtetit do fillojnë dalin para procesit të trefishtë të vettingut gjatë këtij muaji. Hapja e seancave publike në tetor , konfirmohet për Top Channel nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, thënë ndryshe institucioni që do kontrollojë policët

“Trupat e Vlerësimit, të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit janë drejt fundit të hetimit administrativ për subjektet e shortit të parë, ndaj po planifikohen që seancat e para dëgjimore të zhvillohen në tetor. Çdo informacion lidhur me seancat dëgjimore, data, ora dhe vendi do të shpallën në faqen zyrtare të KJV”, thuhet nga Komisioni.

Përse po vonohen seancat dëgjimore përderisa zëvendës ministri i brendshëm Julian Hodaj kishte paralajmëruar publikisht se vettingu në polici do të startonte dy muaj më parë ?

“Procesi i hetimit administrativ është një proces dinamik e kompleks, që kërkon kohën e tij, kjo edhe nga vetë fakti i impaktit që mbart. Për realizimin e një procesi sa më të saktë janë nisur kërkesa të shumta për informacion drejt institucioneve publike dhe private, të cilat jo vetëm marrin kohë në kthimin e përgjigjeve, por lind nevoja e ripërsëritjes apo e hetimit në fusha të tjera. Vlen të përmendim që një ndër informacionet më të rëndësishme, për të gjitha subjektet e vlerësimit të kësaj faze, ka ardhur më 20 shtator 2019”, thuhet nga Komisioni.

Në listën e publikuar nga komisioni i jashtëm i vlerësimit të parët që do të thirren në seancë vettingu janë drejtori i përgjithshëm i policisë Ardi Veliu, më tej Aida Hajnaj dhe Tonin Vocaj, por nuk përjashtohen edhe kreu i gardës dhe drejtues të drejtorive kryesore në policinë e shtetit.
Të gjithë efektivët e policisë sikundër edhe njerëzit e drejtësisë do t’i nënshtrohen kontrollit të pasurisë, figurës dhe verifikimit profesional.

Anila Hoxha

Top Channel