Kreu i partisë së PBDNj-së, Vangjel Dule shprehu në emisionin “Top Talk”, gjykimin e tij përsa i përket mosnjohjen nga ana e opozitës të asaj pjese përfaqësuese brenda parlamentit, pra opozitës parlamentare, duke thënë se nuk mund ta bëjë kjo lloj opozite përfaqësimin e opozitës për Reformën Zgjedhore.
I pyetur nëse a është ky qëndrimi i duhur i opozitës, pra i Lulzim Bashës, në raport me opozitën parlamentare, të cilën faktorët ndërkombëtarë e njohin si institucion dhe si përfaqësim politik në parlament, përmes votës së të cilëve do të kalojë edhe Reforma Zgjedhore, Dule tha:
“Kjo është një lëvizje e saktë dhe e drejtë. Nuk kanë asnjë legjitimitet ata individë, të cilët kujtojnë se janë parlamentarë në përfaqësim të interesave të grupimeve të caktuara shoqërore. Ndërkombëtarët kanë një metodë tjetër që të çon në arritjen e të njëjtave objektivave që ka edhe opozita; kanë si rëndësi parësore stabilitetin që e kemi edhe ne, por që nëpërmjet asaj do të na çojnë edhe në normalitet politik dhe parlamentar.”
Më tej, Dule shtoi”:
“Më lejoni t’ju rikujtoj se edhe emri im nuk ishte i votuar në zgjedhjet e kaluara, sepse isha në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike, për shkak të konjukturës paraelektorale që u krijua në sajë të asaj marrëveshjeje. Janë votuar 3 emra dhe 3 parti , PD, PS, LSI dhe rrjedhimisht vota u është dhënë atyre subjekteve dhe askujt nuk i ka shkuar ndërmend nëse ka qenë Vangjel Dule në qarkun e Vlorës. Rrjedhimisht të mos kujtojnë të paktën në ndërgjegjjen e tyre se janë përfaqësues të njerëzve të caktuar dhe të individëve të caktuar . Le të shkojnë aty për arsye që kanë vajtur , por të mos ngrenë gjoja kauza që janë veç flluska sapuni”, përfundoi kryetari i PBDNJ-së.
Top Channel