Brugge befason Realin, Bayern Mynih shkatërron Tottenham

02/10/2019 14:01

Liga e kampioneve dhuroi një rezultat surprizë në javën e dytë të saj dhe protagonist u bë Reali i Madridit.

Skuadra Merenges barazoi 2-2 në Santiago Bernabeu ndaj Club Brugge në një sfidë të cilën në të vërtetë ishte duke e humbur dhe e sheh veten në vështirësi pasi është në vendin e fundit të Grupit A me vetëm 1 pikë.

Belgët morën avantazhin 2-0 falë dy golave të Bonaventure, por në pjesën e dytë Sergio Ramos dhe më pas Casemiro shpëtuan Realin nga një poshtërim akoma më i madh.

Ndërkaq, po në këtë grup, Paris Saint Germaini kaloi edhe Galatasarayin teksa e mundi skuadrën turke në fushën e saj me rezultatin 1-0. Ishte Mauro Icardi që i dha këtë fitore skuadrës pariziene që kryeson Grupin A me 6 pikë të plota.

Bayern i Mynihut shkakton një tërmet futbollistik 7 ballë në Londër. Skuadra bavareze iu imponua Tottenhamit, skuadrës finaliste të Championsit sezonin e kaluar teksa e shkatërroi me rezultatin 7-2. Njeriu i ndeshjes për Bayernin u bë Gnabry, autor i 4 golave për skuadrën e tij, ndërkohë që gjetën rrugën e rrjetës edhe Kimmich e Lewandowski 2 herë.

Bayerni tani kryeson grupin B me 6 pikë të plota, ndërsa Tottenham është i fundit me 1 pikë. Fitore të pastër regjistroi edhe Juventus që në Torino mundi Bayer Leverkusen 3-0.

Higuain zhbllokoi rezultatin për bardhezinjtë që më pas shënuan e dy gola të tjerë me Bernardeschin dhe Cristiano Ronaldo. Fitoi edhe Atletico Madrid që në Rusi mundi Lokomotivën e Moskës 2-0.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA