Liga e kampioneve rikthehet me ndeshjet e javës së dytë të saj që do të luhen këtë të martë dhe të mërkurën.
Në mbrëmjen e sotme, një prej sfidave që ka më shumë interes është ajo që do të luhet mes Tottenhamit dhe Bayernit të Mynihut në Londër.
Skuadra londineze vjen në këtë ndeshje pas një barazimi befasues 2-2 me Olympiacos në një ndeshje që e kryesoi 2-0, ndërkohë që bavarezët fituan pastër me Crvena Zvezdën 3-0 në sfidën e parë mes tyre në Grupin B.
Në ndeshjet direkte Bayerni ka një avantazh me Hotspurs teksa ka 2 fitore kundrejt 2 të skuadrës londineze, ndërkohë që 1 sfidë ka përfunduar në barazim. Ndeshja tjetër e Grupit B është ajo mes Crvena Zvezdës dhe Olympiacosit.
Paris Saint Germaini pasi i dha leksion Realit të Madridit në javën e parë, do të udhëtojë drejt Turqisë për t’u përballur me Galatasarayin ku me siguri do ta presë një atmosferë e zjarrtë. Për skuadrën pariziene do të mungojnë sërish Neymar i pezulluar, si dhe Cavani e Draxler të dëmtuar, por trajneri Tuchel do të ketë në dispozicion Kylian Mbappe që është riaftësuar plotësisht.
Kjo e sotmja do të jetë ndeshja e pestë mes Paris Saint Germainit dhe Galatasarayit dhe bilanci i përballjeve të tyre flet për një ekuilibër pasi secila prej skuadrave ka nga dy fitore. Por kjo mbrëmje e Ligës së Kampioneve ka rezervuar edhe sfida të tjera që nuk janë më pak interesante.
Kështu, po për grupin A, Reali i Madridit do të presë Club Brugge, Manchester City do të presë Dinamon e Zagrebit, ndërsa Juventus do të luajë me Bayer Leverkusen.
Top Channel