Kombëtarja për femra nis punën për sfidat e radhës

01/10/2019 16:05

Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave ka nisur grumbullimin për ndeshjet e radhës eliminatore të Evropianit të vitit 2021 ndaj Portugalisë dhe Finlandës.

Trajneri i skuadrës sonë përfaqësuese është i ndërgjegjshëm për shkallën e vështirësisë së këtyre ndeshjeve, por theksoi se ka besim se skuadra do të bëjë një paraqitje të mirë.

“Besoj se po bëjmë një punë të mirë për t’iu përgjigjur Portugalisë në ndeshjen e parë për të dhënë më të mirën tonë. Jam shumë i bindur që do të bëjmë një lojë të mirë dhe pse jo të mos mendojmë për një rezultat pozitiv. Janë skuadra të forta, jemi në një grup të fortë, por unë jam i bindur se me vajzat do të bëjmë maksimumin për këto dy ndeshje”, shprehet Vioresin Sinani.

Trajneri i Kombëtares shqiptare të femrave tregoi se cila do të jetë arma që do të përdorë skuadra e tij për t’iu përgjigjur Portugalisë dhe Finlandës.

“Ndër pikat më të forta që vlerësoj te skuadra është kolektiviteti, besoj se jemi një grup mjaft mirë mirë ku janë ndërthurur lojtare që luajnë në Shqipëri, Kosovë dhe jashtë vendit. Janë një grup vajzash që shkojnë mjaft mirë me njëra-tjetrën dhe që stërviten me dëshirë dhe që luftojnë të gjitha në grup dhe jam i bindur se kolektiviteti dhe përkushtimi janë e vetmja armë me të cilën mund t’u përgjigjemi këtyre ekipeve”, ka thënë trajner i Kombëtares.

Kombëtarja shqiptare do të luajë ndaj Portugalisë në 4 Tetor në Elbasan Arena, ndërsa atë me Finlandën në fushën e kësaj të fundit në 8 Tetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA