Tre pretendentet për postin e prokurorit të përgjithshëm po i afrohen finisht të garës.

Por sa më shumë i afrohen ata fitores aq më tepër ky konkurrim kthehet në një lojë shahu. Mbledhja e kësaj të marte e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me rend dite edhe miratimin e metodologjisë përmes të cilës do të pikëzohen tre pretendentët nuk u zhvillua.

Edhe pse në dukje është një mbledhje teknike më tepër me shumë gjasë më tepër ajo nuk u zhvillua për të fituar kohë përderisa në datën katër do të zhvillohet asambleja e përgjithshme e prokurorëve , prej nga ku do të votohet anëtari më i ri i KLP, që do të zëvendësojë anëtarin Gentian Osmani, i shkarkuar nga vetting-u.

“Kishim planifikuar të diskutonim metodologjinë, thjesht u kërkua nga anëtarët të shikonin materialet shtesë për këtë metodologji, që në mbledhjen e ardhshme ta miratojmë”, tha Alfred Balla, nënkryetar i KLP-së.

Por në vetvete pritja e KLP-së nuk është një pritje e zakonshme për anëtarin më të ri të saj. Anëtari më i ri i këshillit do të thotë një votë më shumë për pretendentët që janë: Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela.

Të tre garuesit kanë kaluar gjatë këtij viti pengesat që ju kishte vendosur ligji për postin e prokurorit, më i rrepti ai i vetting-ut. Tashmë loja është zhvendosur në tavolinën e KLP-së, ku megjithëse parashikohet që këshilli të dorëzojë brenda tetorit emrat e më të mirëve, rivalet më të fortë dihet se kush janë.

Anila Hoxha

Top Channel