Të mërkurën do të luhet sfida mes Barcelonës dhe Interit në Ligën e Kampioneve, një përballje kjo që luhet edhe në fushën e financave.
Në këtë të fundit në fakt dihet se kush është fituesja, madje duke dominuar ndjeshëm dhe bëhet fjalë për klubin katalanas që për herë të parë bëhet më i pasuri në botë për të ardhurat e arkëtuara duke lënë pas Realin e Madridit.
Për sezonin 2018/2019, Barcelona arriti në kuotën e 835 milionë Euro, Reali i Madridit regjistroi 757 milionë ndërsa Manchester United 711 milionë Euro.
Në këtë pikë, Interit, për të arritur në nivelin e kundërshtarëve të radhës do të duhet të bëjë ‘aleancë’ me Juventusin, rivalin e tij në kampionat.
Për sezonin 2018/2019 të ardhurat e Interit u rritën në 365 milionë Euro pa përllogaritur plusvalencat nga shitjet e lojtarëve, ndërsa Juventusi shënoi 494 milionë Euro të ardhura, duke i mbledhur këto dy shifra Inter e Juventus në total kapin vlerën e 850 milionë Euro, praktikisht niveli i të ardhurave që arkëton Barcelona e vetme.
Vlen të theksohet se Barcelona ka siguruar rritje të të ardhurave me 75 milionë nga të drejtat televizive, +62 milionë nga sektori komercial, +12 milionë nga stadiumi, ndërkohë që spikat edhe kontrata që ka nënshkruar me Nike me një vlerë prej 105 milionë Euro në vit.
Top Channel