Partizani reagon ashpër: Tifozat e Tiranës tentuan aktin terrorist, bashkëpunim me administratorët e stadiumit

30/09/2019 14:38

Klubi i futbollit të Partizanit ka reaguar ashpër për incidentet e ndodhura dje gjatë derbit me Tiranën. 9 persona u proceduan për incidentet, nga këta një u arrestua dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në reagim drejtuesit e Partizanit pretendojnë edhe për një akt terrorist të mbetur në tentativë që ishte organizuar nga një pjesë e tifozëve të Tiranës kundër tifozëve “të kuq”. Ata akuzojnë se ky plan është realizuar në bashkëpunim me administratorët e stadiumit “Selman Stërmasi”.

“Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”. Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë”, thuhet në reagim.

Ndonëse në deklaratën e Partizanit flitet për një sasi eksplozivi, Policia e Tiranës njoftoi mëngjesin e sotëm se bëhet fjalë për fishekzjarre.

Gjithsesi, Partizani e konsideron të papranueshëm mos-distancimin e klubit të Tiranës nga kjo sjellje.

“Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi””, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë

Klubi i Futbollit Partizani denoncon fuqimisht aktet e ndodhura në takimin Tirana – Partizani, i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore. Për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvatjen e takimeve derbi. Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv. Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”. Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë. Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”. I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA