Mrekullitë e tetorit – guida e produkteve të muajit, si t’i zgjidhni dhe ruani

30/09/2019 22:31

Produktet e vjeshtës dhe veçanërisht të tetorit janë aq të ëmbla dhe të shëndetshme saqë është e vështirë të mos u ngulësh dhëmbët.

Që nga hurmat farëzeza apo ato më të buta tek mollët starkinge të Peshkopisë e Korçës, shija e të cilave nuk ka të krahasuar, deri tek shegët, patatet e reja apo fasulet.

Po, fasulet, ato të cilat nuk mungojnë kurrsesi në tryezën e shqiptarëve, duke u kthyer gati gati në një simbol të kuzhinës sonë.

Për të marrë më të mirën e vjeshtës, shihni guidën vjeshtore të AgroWeb.org me frutat dhe perimet e shijshme dhe tejet të shëndetshme.

Shegët

Shegët kërkojnë pak punë dhe shpesh bëhet një rrëmujë, por ato kokrrat e kuqe si rubin që dalin pasi kemi hapur në mënyrë aspak delikate shegën, ja vlejnë për shijen dhe vlerat e larta ushqyese.

Si t’i zgjidhni

Zgjidhni shegë, që peshojnë më shumë krahasuar me madhësinë, pasi janë dhe më të shijshmet. Mos u shqetësoni shumë për ngjyrën e tyre, pasi ato mund të jenë nga komplet të kuqe në një të kuqe të kafenjtë, pa ndikuar fare në cilësi. Gjithsesi zgjidhni shegë të cilat kanë një ngjyrë të fortë.

Si t’i ruani

Shegët duhet të futen në frigorifer, pasi mund të zgjasin tre deri në katër javë.

Pasi të keni nxjerrë kokrrat futini në një qese të mbyllur në mënyrë hermetike dhe vendosini në frigorifer tek ngrirja.

Këshilla shtesë

AgroWeb.org ju këshillon që për ta hapur shegën pa bërë rrëmujë, ndajeni lëvozhgën në katër pjesë, pastaj futeni frutin në një enë me ujë dhe ndani lëkurën, duke bërë që kokrrat të dalin menjëherë.

 

Mollët

Mollët janë për vjeshtën atë që nektarinat janë për verën. Mollët starkinge të Peshopisë apo të Korçës të ofrojnë një shije unike dhe më shumë vlera ushqyese.

Si t’i zgjidhni

Në këtë periudhë zgjidhni mollë të vogla, të forta dhe me lëkurë të shndritshme.

Si t’i ruani

Mollët duhet të ruhen në temperatura të ftohta, duke i vendosur në pjesën e poshtme të frigoriferit. Një qese plastike me vrima do të ishte zgjidhja më e mirë. Kjo pasi bën të mundur që të dalë lagështira ndërkohë që i mban mollët të freskëta.

 

Patatet

Patatet e reja kanë një rrugë shumë të shkurtër nga toka në treg, ndaj dhe për këtë arsye quhen të reja, pasi nuk kalojnë në procesin e ruajtjes.

Ato kanë një aromë dhe shije të veçantë. Zona e Shishtavecit në Kukës njihet për prodhimin e lartë dhe cilësor të patates.

Si t’i zgjidhni?

Mënyra e mirë që ju tregon që një patate është e re, është ta gërvishni lëkurën me gisht. Lëkura e saj është aq e butë sa do të hiqet menjëherë.

Si t’i ruani?

Patatet e reja mund t’i ruani në temperaturën e mjedisit, por nuk do të ruajnë freskinë aq gjatë sa patatet e vjetra. Nëse futen në frigorifer dhe ruhen për një kohë të gjatë, do të kenë një shije të ëmbël.

 

Fasulet

Si t’i zgjidhni

Zgjidhni fasule që janë të forma të plota sa më të bardha dhe të pastra të jenë aq më të mira janë.

Si t’i ruani

Fasulet hyjnë tek produktet që mund t’i ruani për një kohë të gjatë. Mjafton që t’i vendosni në një vend të thatë dhe do të mund t’i ruani gjatë të gjithë vitit. Mund t’i ruani në një thes apo qese pëlhure.

Këshilla shtesë

Për t’i ulur kohën e zierjes, mund t’i vendosni fasulet një natë më parë në ujë që të zbuten dhe më pas mund t’i zieni, duke i shtuar qepë dhe zarzavate të tjera sipas shijes./AgroWeb

Top Channel