E diela futbollistike ka rezervuar derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. Në “Selman Stërmasi” do të vihen përballë dy skuadrat më legjendare të futbollit shqiptar. Në fushën e lojës do të zbresin plot 40 tituj kampionë të Shqipërisë që kanë fituar këto dy ekipe në historinë e tyre.

Në këtë sezon duket se derbi gjen më mirë Tiranën sesa Partizanin. Tirana nuk e ndjen shijen e fitores në derbin e kryeqytetit prej 5 vitesh dhe për bardheblutë është koha që të thyejnë këtë tabu që duket se është kthyer në një obsesion për ta. Skuadra e Ardian Memës, ndryshe nga sezoni i kaluar vjen në këtë përballje në një formë shumë të mirë.

Në 5 javët e para Tirana ka grumbulluar 10 pikë me një bilanc me 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Disfatën e vetme, Tirana e pësoi javën e kaluar ndaj Kukësit dhe sfida me “Të Kuqtë” është idealja për këtë skuadër për ta harruar atë.

Partizani nga ana e tij, që është kampioni i vendit, nuk është në momentin e tij më të mirë dhe qëndrimi i trajnerit Lerda duket se është në pikëpyetje. Partizani në 5 javë ka grumbulluar 7 pikë dhe rrezikon që të humbasë akoma më shumë terren nëse nuk siguron suksesin në këtë ndeshje derbi. Një fitore e mundshme ndaj Tiranës nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të rrisë moralin e Partizanit në sfidat e ardhshme të Superiores.

Por në këtë ndeshje derbi  pritet që spektakli më i madh të jetë në shkallët e stadiumit me tifozeritë e të dyja skuadrave që gjithmonë në sfida të tilla kanë shfrenuar fantazinë duke krijuar koreografi të jashtëzakonshme duke e bërë ambientin shumë të zjarrtë, ashtu sic i takon një ndeshjeje derbi.

Emocionet e këtij derbi të shumëpritur dhe spektakolar do të përcohen te të gjithë admiruesit e futbollit nëpërmjet platformës Digitalb.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA