Chelsea i Franck Lampard ia doli të rikthehet te fitorja, duke mposhtur në shtëpi Brightonin me rezultatin 2-0, në një takim që nuk rezultoi aspak i lehtë për “blutë e Londrës”, që e zgjidhën gjithçka vetëm në pjesën e dytë.
Ishte minuta e 50’, kur arbitri akordoi një 11-metërsh për vendasit, të cilin e ekzekutoi saktë mesfushori italo-brazilian Jorginho, duke u dhënë avantazhin londinezëve, ndërsa pak minuta më vonë, Willain vulosi suksesin.
U rikthye te fitorja edhe skuadrat tjetër londineze, Tottenhami, që mposhti me rezultatin 2-1 Southamptonin. “Spurs”-at e nisën mirë takimin dhe shënuan me anë të mesfushorit francez Ndombele, por më pas gjërat u komplikuan, pasi Aurier la ekipin me 10 futbollistë dhe Southampton barazoi me Ings.
Megjithatë skuadra e Pocchetinos arriti të shënojë golin e fitores në limitet e pjesës së parë, me anë të kapitenit Harry Kane, ndërsa në pjesën e dytë ekipi londinez u vendos mjaft mirë, duke arritur të mbrojë avantazhin dhe t’u gëzohet tre pikëve.
Në takimet e tjera Wolves mposhti Watfordin me rezultatin 2-0, Crystal Palace triumfoi me të njëjtat shifra ndaj Norwich, ndërsa Aston Villa u ndal në barazim 2-2 në shtëpi nga Burnley.
Top Channel