Vuk Drashkoviq, lider i një partie të vogël opozitare dhe ish-ministër i Jashtëm i Federatës Serbo-Malazeze, ka deklaruar se Serbia e ka humbur Kosovën që në vitin 1999 dhe këtë realitet të vrazhdët serbët duhet ta pranojnë.

Duke folur nga Beogradi për një televizion me bazë në Sarajevë, Drashkoviq tha se kontesti Kosovë-Serbi mund të tejkalohet sipas përvojës së dy Gjermanive. Ndërkohë, ai ka këshilluar presidentin serb Aleksandar Vuçiq që të jetë një De Gol serb: të bëjë atë që imponon arsyeja, realiteti dhe të mës i frikësohet rrezikut. Ish-ministri i Jashtëm i bashkësisë shtetërore të Serbisë dhe Malit të Zi, Vuk Drashkoviq ka deklaruar se Kosova është një realitet i vrazhdët të cilin serbët dhe Serbia duhet ta pranojnë. Duke folur për televizionin e pavarur N1, Drashkoviq ka rikujtuar se ka qenë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ai që, edhe me pëlqimin e Rusisë dhe të Kinës, me rezolutën që miratoi më 1999 ai dëboi Serbinë nga Kosova:

“Realitet i vrazhdët. Me Rezolutën 12-44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më 10 qershor të vitit 1999, pas kapitulimit të regjimit të Slobodan Milosheviqit në luftën me Aleancën e NATO-s, shteti i Serbisë u përzu njëherë e përgjithmonë nga Kosova. U përzu! Dhe ne këtë fakt duhet të pranojmë dhe ta njohim patjetër. Për këtë rezolutë votoi Rusia dhe luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e saj. Kina nuk ishte kundër. I gjithë Këshilli i Sigurimit ishte për këtë dëbim të shtetit të Serbisë nga Kosova”, tha Drashkoviq.

Drashkoviq lë të kuptohet se është i pakuptueshëm angazhimi i tanishëm i Moskës dhe Pekinit për gjoja mbrojtjen e sovranitetit serb mbi Kosovën për shkak se, thotë ai, për heqjen e tij ata dhanë kontribut të rëndësishëm:

“Cili është qëllimi i kësaj politike që populli serb këtu të mbahet në një hipnozë, në një bindje të rrejshme se Kosova është edhe më tej krahinë autonome e Serbisë? Pra, Kosova është e humbur. Ky është realiteti”, shprehet Drashkoviq.

Megjithatë, politikani dhe shkrimtari Drashkoviq çmon se pavarësisht kësaj, nuk është humbur populli serb në Kosovë, thesari kulturor, kishat, manastiret për ruajtjen dhe mbrojtjen e të cilave duhet të angazhohet shteti serb, por tërheq vërejtjen, kjo mund të bëhet vetëm në një bashkëpunim strategjik me Evropën dhe Amerikën, por edhe me një marrëveshje të sinqertë me shqiptarët në Kosovë. Duke folur për zgjidhjen e kontestit, ish-kryediplomati jugosllav, ka riargumentuar idenë e tij të moçme se Kosova dhe Serbia mund të jetojnë ashtu siç kanë jetuar dy Gjermanitë, pas Luftës së Dytë Botërore:

“Ky është një propozim që ka ardhur nga gjermanët, si përvojë e tyre: nuk është e thënë që Serbia dhe Kosova të shkëmbejnë formalisht ambasadorë dhe që të publikohet njohja zyrtare, por duhet të arrihet pajtjetër një marrëveshje juridikisht e detyrueshme për pranimin e realitetit dhe bashkëpunimit të gjithanshëm. Në këtë bashkëpunim të gjithanshëm mund të arrihet kompromisi”, – thotë Drashkoviq duke shprehur bindjen se në rrethana të këtilla edhe mund të ketë ndonjë korrigjim të vogël të vijës kufitare që, sipas tij, nuk nënkupton shkëmbim të territoreve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA