Ministrja për Parlamentin, Elisa Spiropali tha në emisionin “Top Talk” në Top Channel, se Partia Demokratike ende nuk e di se çfarë kërkon për reformën zgjedhore.
“Shumëkush nuk e kupton se ç’kërkon PD në këtë pikë. Nëse kërkon standarde le të vijë në tryezë. Kjo është një politikë primitive e vendosjes së kushteve për kundërshtarin, e pazarit dhe e shantazhit. Siç e thashë, ne nuk kemi nevojë për opozitën jashtëparlamentare për të kaluar ligjet për reformën. Ne zgjodhëm dhe këmbëngulëm që PD të kishte një vend në tryezë në mënyrë që të mos përjashtojmë një forcë të madhe”, tha Spiropali.
Sa i përket kërkesës së PD për largimin e Damian Gjiknurit nga drejtimi i Komisionit për Reformën, Spiropali tha se socialistët janë të gatshëm të bëjnë shumëçka në nivel individësh, por këto janë alibi pasi thelbi i kërkesave të opozitës janë kushtet politike.
“Ne jemi të gatshëm të bëjmë shumëçka në nivel individësh dhe partie. Por nuk ishte ky kushti i zotit Kaso dhe nuk kishte lidhje me zotin Gjiknuri. Ata flasin në nivel politik, ndryshim qeverie… Janë të gjitha alibi sepse të jeni të sigurt që edhe sikur zoti Gjiknuri zgjedh të largohet, aty renditen kushte politike”, tha ajo.
Elisa Spiropali në “Top Talk”: Ja me cilën opozitë preferon të bashkëpunojë PS
Top Channel