Foto ilustruese

Ndryshimet e temperaturave kanë sjellë shtimin e numrit të fëmijëve të prekur nga virozat në qarkun e Beratit.

Fluksi i fëmijëve të të gjitha moshave ka ardhur në rritje në Repartin e Pediatrisë së Spitalit Rajonal, ku java që sapo lamë pas dhe kjo javë është shoqëruar me një shtim të madh të rasteve të fëmijëve të prekur, kryesisht të moshave nga 0-5 vjeç.

Vetëm gjatë kësaj jave, numri i vizitave ka arritur në 60 vizita çdo ditë, ndërkohë që është rritur mjaft dhe numri i të shtruarve pranë këtij reparti, ku aktualisht në dhomat e shtrimit ka ende fëmijë që ndodhen prej 1-jave të shtruar në pediatri. Simptomat që kanë paraqitur fëmijët e prekur nga virozat kanë qenë: temperaturë e lartë, probleme në rrugët e frymëmarrjes dhe dehidratim, ndërkohë që numri i fëmijëve të prekur ka ardhur duke u rritur nga dita në ditë.

Mjekja pediatre, Ledina Hatija, pohon se kemi të bëjmë me një virus gastrointerit që është një virozë e stinës. Ajo ka konfirmuar se në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit përgjithësisht janë shtruar fëmijë që janë të moshave nga 0-5 vjeç, të cilët janë paraqitur me dehidrim. Mjekja pediatre Hatija pohon se numri i vizitave ka ardhur në rritje dhe kjo javë ka shënuar një numër rreth 60 fëmijësh në ditë që paraqiten me temperaturë të lartë dhe dehitratim.

Ajo shton se disa raste virozash janë shoqëruar edhe me infeksion gastrointerit dhe këto raste,kur fëmijët kanë kaluar më shumë 4-ditë me temperaturë të lartë janë shtruar në Repartin e Pediatrisë,ku po trajtohen me antibiotikë dhe perfuzione. Mjekja pediatre Hatija këshillon prindërit t’i mbajnë në shtëpi fëmijët gjatë 2-ditëve të para të virozës, të monitorojnë temperaturën,të përdorin kompresa dhe më pas t’i sjellin në spital pasi, sipas saj, kemi të bëjmë me një virozë që nuk do antibiotikë dhe mjekime specifike dhe ku fëmijët vetëm duhet të marrin sasi të madhe lëngjesh dhe ushqime që nuk japin diarre.

Sipas mjekes pediatre Ledina Hatija, përhapja e shpejtë e virozave ka ardhur edhe si rezultat i jetës së fëmijëve në komunitet, pasi virusi është përhapur nga njëri fëmijë tek tjetri në kopshte e çerdhe.

Vetë prindërit e fëmijëve të sëmurë dhe të afërmit e tyre shprehen se i kanë sjellë fëmijët në gjendje të rënduar virale dhe me temperaturë të lartë. Ata pohojnë se fëmijët e tyre kanë ditë të tëra në spital,disa prej tyre edhe prej 1-javë të shtruar,duke u trajtuar me medikamente dhe serume.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA