Pas informacioneve të marra në rrugë operative se dy shtetas po tentonin të trafikonin lëndë narkotike nëpërmjet kufirit jeshil për në Maqedoninë e Veriut, Policia e Elbasanit menjëherë ka organizuar punën dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë dhe Stacionin e Policisë Përrenjas, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Rrajca”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. B., 47 vjeç, dhe I. B., 22 vjeç, të dy banues në fshatin Sutaj-Prrenjas.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë gjatë operacionit rreth orës 21:30, në fshatin Rrajcë-Sutaj, duke transportuar me një kafshë pune, rreth 55 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis-Sativa.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë organizuar trafikimin e lëndëve narkotike kryesisht të llojit Cannabis-Sativa, nëpërmjet kufirit të gjelbër nga Shqipëria në drejtim të shtetit të Maqedonisë së Veriut.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vazhdon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të perfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet hetimore iu kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale, “Trafikimi i narkotikëve e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”.
Top Channel