Komuna e Prishtinës ka kërcënuar partitë politike se do t’i gjobisë në rast se hasen fletushka nëpër hyrjet e objekteve kolektive, e njëjta gjë siç vlen edhe për fletushkat e bizneseve.
Drejtori i Inspeksionit, Adonis Tahiri, tha se kanë pranuar një varg ankesash nga qytetarët për shpërndarje të fletushkave të subjekteve politike nëpër objektet kolektive.
Ai theksoi se shpërndarja e fletushkave nëpër makina, shtëpi, hyrje kolektive, e gjetiu, është e ndaluar dhe cilësohet si ndotje e mjedisit.
“Subjektet që tashmë e kanë bërë këtë veprim, obligohen që brenda ditës t’i pastrojnë të gjitha lokacionet. Në të kundërtën, nga nesër datë 18 shtator, kudo që hasim në fletushka të tilla, do ta zbatojmë Udhëzimin Administrativ për Gjobat Mandatore, njësoj sikur për fletushkat e bizneseve. Pra, nga 90 euro gjobë për secilin lokacion veturë, shtëpi dhe kat banese”, tha Tahiri.
Ai shtoi se të gjitha gjobat do të publikohen ashtu që të shihet hipokrizia e atyre që nëpër debate zgjedhore flasin për ruajtjen e mjedisit, e në praktikë e ndotin mjedisin.
“Nuk do të ketë tolerime për askënd, as për subjektin që unë i përkas, nëse e bën të njëjtën shkelje. Ekipet e Inspekcionit, në bashkëpunim me qytetarët e Prishtinës, do të angazhohen maksimalisht për mjedis sa më të pastër edhe gjatë fushatës”, vijoi ai.
Top Channel