Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj nuk po merr pjesë në takimin e ftuar nga Republika e Çekisë për marrjen e presidencës së Grupit të Vishegradit, në të cilin janë ftuar kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Këtë mungesë Haradinaj e ka arsyetuar me angazhimet për fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme në vend.
Me këtë ai ka hedhur poshtë lajmet çeke, se mos paraqitja tij është në shenjë pakënaqësie ndaj deklarimeve të presidentit, Millosh Zeman se do ta tërheqin njohjen së pavarësisë.
“Kosova dhe Republika Çeke kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale që nga koha e vendimit tuaj të shpejt për njohjen e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë sonë në vitin 2008. Gjithashtu, dua të shpreh falënderimin e popullit të Kosovës dhe mirënjohjen time personale për mbështetjen që qeveria juaj i ka dhënë përpjekjeve të Kosovës për liberalizim të vizave si dhe mbështetjen e aplikimit tonë për anëtarësim në Interpol vitin e kaluar.
Siç edhe mund të jeni në dijeni, Kosova ka hyrë në ciklin e saj të zgjedhjeve të përgjithshme dhe zhvillimet politike në vend janë shumë dinamike. Për shkak të kësaj situate, unë si Kryeministër në detyrë, si dhe si drejtues i një partie politike, do ta kem shumë të vështirë të largohem nga vendi gjatë kësaj faze”-tha Ramush Haradinaj.
Por, ky takim po vlerësohet nga analistët i rëndësishëm, për të qenë në hap me zhvillimet gjeopolitike Evropiane. Sipas tyre, qëndrimet e qeverisë çeke kanë qenë çdo herë miqësore, me përjashtim të presidentit.
Çekia e ka njohur pavarësinë e Kosovës me 21 maj 2008, e këtë presidenti Zeman e përshkroi si gabim diplomatik.
Në takimin me homologun serb, Aleksander Vuçiç ai tha se do “t’i japë një muaj kohë për konsultime të autoriteteve, mbi mundësinë e tërheqjes së njohjes për Kosovën”.
E Vuçiç e ka falënderuar për pikëpamjen ndaj Kosovës duke u shprehur se nuk priste që Zeman të ndërmerrte këtë iniciativë.
Por, këto deklarime i hedhi poshtë kryetari i senatit çek Jaroslav Kubera, duke thënë se presidenti mund të thotë çfarë të dojë, por nuk është ai që mund të bëjë diçka dhe se do të ishte debat i madh për asnjë.
Në këtë takim që do të mbahet në Pragë, përveç kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të marrin pjesë edhe ata të vendeve të Vishegradit që e përbëjnë: Çekia, Sllovakia, Polonia e Hungaria.
Top Channel