Zhdukja pa asnjë gjurmë e kapitenit të jahtit Sezgin Yavuz, solli nga Turqia pronarin e jahtit, i cili dy ditë më parë dha deklaratën e tij në Prokurorinë e Lezhës.
Metin Akyuz, nëpërmjet avokatit të tij, Albi Bineri, ka bërë një deklaratë ku shpjegon detaje mbi çështjen e jahtit dhe kapitenit të tij që tashmë rezulton i humbur.
“Menjëherë pas mungesës së komunikimit, z. Akyuz është vënë në kontakt me autoritet shqiptare dhe pas identfikimit të jahtit ai ka mbërritur në vendin tonë së bashku me familjaret e kapitenit Yavuz. z. Akyuz përjashton në mënyrë kategorike çdo mundësi përfshirjeje të kapitenit Yavuz në aktivitete të paligjshme, pasi ai gjithmonë kishte qene një njeri me integritet të lartë, moral të panjollosur dhe profesionalizëm të dalluar. Në këto kushte, pista më e mundshme mbetet ajo e një aksidenti fatkeq. Në kërkimet dhe zbardhjen e plotë të këtij aksidenti janë përfshirë gjithë autoritetet kompetente shqiptare si edhe ambasada turke në Tiranë, të cilat po japin maksimumin e tyre.”
Ditën e mërkurë në mediat turke për këtë çështje ka reaguar edhe bashkëshortja e kapitenit të jahtit, Vesile Yavuz.
“Nuk më telefonoi më. Të shtunën u gjet mjeti lundrues. Mjeti është gjetur në gjendje aktive, por bashkëshorti im nuk ka qenë brenda. Ende nuk është gjetur. Kërkoj ndihmë nga zyrtarët tanë të lartë të shtetit. Dua që i shoqi im të kthehet. Bija ime pyet për babain e saj dhe unë nuk mund t’i them asgjë”.
Policia shqiptare dhe ajo turke, në bashkëpunim me Interpolin dhe prokurorinë e Lezhës, janë duke vazhduar hetimet për të gjetur kapitenin Sezgin Yavuz dhe për të zbuluar shkaqet e humbjes së tij. Ndërkaq biznesmeni Metin Yavuz, ka kërkuar që të tërheq jahtin e tij, por nuk është lejuar nga prokuroria për shkak se konsiderohet pjesë kyçe e hetimit.
Andi Bora
Top Channel