Në një nivel në futbollin e femrave ku nuk ka arritur asnjë skuadër tjetër më parë, Vllaznia nuk mundi t’i bëjë ballë eksperiencës së Fortuna Hjoring, duke humbur 0-1 në shtëpi ndaj formacionit danez.
Skuadra kuqeblu zhvilloi një lojë mesatare përballë vajzave mike por u ndëshkua nga një episod në pjesën e dytë në stadiumin Loro Boriçi.
Pas një fraksioni të parë pa gola ku Fortuna Hjorning kishte iniciativën dhe mund të kishte shënuar, arbitrja estoneze Reelika Turi akordoi penallti për danezët. vallëzimi i Snerle mes mbrojtëseve të Vllaznisë detyroi Franjën të shkaktonte 11 metërsh, dhe nga pika e bardhë Moller arriti të shënonte.
Trajneri Nikolin Leka provoi të ndryshonte dicka në lojë, por ndërrimet nuk iu përgjigjën si duhet, ndërsa Vllaznia nuk evitoi dot humbjen në Ligën e kampioneve për femra. Një rast flagrant i shqiptareve në sekondat e fundit, mund të kishte ndryshuar shumë gjëra nëse amerikania Dojl do kishte shënuar.
Ndeshja e kthimit në 25 Shtator në Danimarkë përfaqëson një mision të vështirë, por shkodranet do të provojnë të surprizojnë, ashtu sic kanë bërë deri më tani këtë sezon.
Aurel Boriçi
Top Channel