Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit në Korçë, Sokol Ibi.
Hetimi për gjyqtarin Sokol Ibi, ishte kryer në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Sa i takon pasurisë, ILDKPKI, kishte dorëzuar një raport me konstatimin se, deklarimi është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Ka burime të ligjshme, nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit.
KPK k kreu një tjetër hetim për këtë kriter. Kështu, është hetuar pasuria shtëpi banimi 127 metra katrorë, së bashku me tokën bujqësore në Pogradec. Nga hetimi i KPK, ka rezultuar se subjekti nuk ka deklaruar një njësi toke në deklaratën fillestare. Në lidhje me këto pasuri, KPK tha se ka konstatuar mospërputhje në deklarime, për blerjen e pronës bujqësore dhe banesën.
Për këtë të fundit, janë konstatuar dy kontrata shit-blerje për pronën, njëherë në vlerën 100 mijë lekë dhe njëherë 145 mijë lekë. Në kontratën e dytë është e detajuar secila nga pasuritë. Këto kontrata kanë të njëjtën numër protokolli dhe i janë kërkuar shpjegime gjyqtarit. Një fakt tjetër i konstatuar nga Komisioni, është se shitja e pronës nga ana e babait është bërë pa shprehjen e vullnetit të motrës.
Ndërkohë, nga analiza financiare e depozitave bankare të deklaruara, iu kalua barra e provës në lidhje me pamundësinë financiare për dy depozita në vlerën 700 mijë lekë, para fillimit të detyrës.
KPK ka konstatuar edhe përdorimin e një mjeti Mercedes Benz. Në bazë të kontratës hua-përdorje, nga babai i tij, mësohet se e ka blerë në 2008, por policat e sigurimit nga viti 2011 deri në 2018 janë paguar nga subjekti. Komisioni tha se nga hetimi, është konstatuar se babai i subjektit, nuk ka leje drejtimi. KPK ngriti dyshime në lidhje me pronësinë e këtij mjeti, por pavarësisht kësaj sot vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtarit.
Top Channel