Italia fitoi 3-1 me Armeninë në ndeshjen në stadiumin e Jerevanit, e vlefshme për fushatën kualifikuese për Europianin 2020 dhe e transmetuar direkt në Supersport.

Përfaqësuesja vendase mori fillimisht epërsinë me një zbritje të bukur në kundërsulm që goditi të kaltërit në pikën e tyre më të fortë, mbrojtjen. Karapetian shënoi me të djathtën pasi u tregua më i shpejtë se prapavija.

Në minuëtn e 28 sulmuesi i Torinos, Beloti riktheu barazpeshën, por gjërat u komplikuan më shumë për armenët. Autori i golit të avantazhit, Karapetian u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë për goditje me bërryl ndaj Bonuccit, edhe pse në ripërsëritjen e aksionit, u duk se vendimi i arbitrit ishte i nxituar.

Pas pushimit, miqtë shfrytëzuan avantazhin numerik duke shënuar dy herë. Pelegrini tundi rrjetën pas krosimit të Bonucit ndërsa goli i sigurisë erdhi nga një karambol mbi portierin, pas një shtylle të Belotit.

Rumania u dorëzua ndaj Spanjës në Arenën Kombëtare në Bukuresht, por bëri iberikët të vuajnë shumë. Fillimisht penalltia e Sergio Ramos prishi ekuilibrat e më pas Andone arriti të barazojë. Goli i fitores së Spanjës erdhi nga Alkaser në një ndeshje ku vizitorët e mbyllën në inferioritet numerik.

Maqedonia e Veriut mori një pikë në transfertën e vështirë ndaj Izraelit, falë golit të një shqiptari. Arijan Ademi zhvlerësoi avantazhin e Zahavi për vendasit duke intriguar llogaritë në grupin G.

Zvicra barazoi 1-1 me Irlandën në “Aviva Stedium”, një rezultat që e mban momentalisht jashtë kualifikimit. Rrjeta e Fabian Sher çerek ore nga fundi i dha avantazhin helvetikëve por Irlanda barazoi me kokë me sulmuesin MekGoldrik.

Top Channel