E enjtja shënon edhe mbylljen e fazës së dytë 48 orëshe të regjistrimit të aplikanteve fitues në universitetet publike e private në vend.

“Deri tani janë regjistruar mbi 7000 aplikantë në gjithë Shqipërinë, diku rreth 30% të regjistrimeve kanë përfunduar që në dy fazat e para. I fundit sapo u regjistrua në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, është një proces i monitoruar në kohë reale”, shprehet Arjan Xhelaj, Drejtor i Rrjetit Akademik Shqiptar.

7 fazat 48 orëshe të regjistrimit nisën në 2 shtator e mbyllen në date 15. Rreth 23 mijë maturantë kanë aplikuar këtë vit në gjithë vendin për raundin e parë.

“A ndërpriten regjistrimet në ditë feste apo në fundjavë, është një pyetje që e bëjnë aplikantët? Regjistrimet vazhdojnë pa ndalesë, pavarësisht fundjavës, për 14 ditë rresht. Është një proces “ongoing””, shprehet Xhelaj.

Ka fakultete ku procesi i regjistrimi është drejt fundit.

“Në mjekësinë e përgjithshme janë ezauruar 95 % të kuotave, vetëm 9 kuota kanë mbetur në degën e mjekësisë së përgjithshme. Edhe në degët e Universitetit të Sporteve vazhdojnë me mbi 90 % të regjistrimeve që janë mbyllur. Artet kanë një ecuri diku mbi 80 % të regjistrimeve të mbyllura tashmë”, ka thënë Xhelaj.

Pas 7 fazave 48 orësh, procesi do të vazhdojë i tillë.

“Në datë 16 shtator do të jetë dita kur një maturant ka të drejtë të çregjistrohet dhe të aplikojë pas tre ditësh, pra në datë 19 shtator, me formularin A3”, ka thënë më tej Xhelaj.

Juli Ristani

Top Channel