Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektvendim, Iicili zgjeron parkun kombëtar në malin e Tomorrit, duke synuar t’i japë fund shfrytëzimit të tij nga guroret.
Projektvendimi i propozuar nga Ministria e Mjedisit e zgjeron me 1383 hektarë sipërfaqen ekzistuese të parkut Kombëtar në Tomor duke marrë kështu në mbrojtje edhe zonën, që shfrytëzohet nga kompanitë e guroreve.
Kjo është tentativa e dytë e qeverisë për të bllokuar aktivitetin e nxjerrjes së gurëve në malin e Tomorrit. Në korrik të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim identik, i cili e zgjeronte sipërfaqen e parkut të mbrojtur me po 1383 hektarë.
Por vendimi u ankimua në gjykatë nga kompanitë e nxjerrjes së gurit dhe u hodh poshtë. Sipas vendimit, gjykata konstatoi se qeveria nuk kishte ndjekur procedurat e kërkuara nga ligji për vendimin e miratuar një vit më parë. Më konkretisht, sipas gjykatës qeveria nuk e kishte nxjerrë vendimin për konsultim publik si dhe nuk e kishte miratuar zonën e zgjerimit në këshillin kombëtar të territorit. Kjo bëri që kompanitë e guroreve të rinisin aktivitetin e tyre në malin e Tomorrit.
Por tashmë qeveria ka nisur sërish përpjekjet ligjore për të bllokuar nxjerrjen e pllakave të gurit në këtë zonë dhe këtë herë duke ndjekur të gjithë hapat ligjor. Dy ditë më parë, këshilli kombëtar i territorit miratoi zonën e zgjerimit të parkut, ndërsa këtë të enjte Ministria e Turizmit ka hedhur për konsultim publik projektvendimin që zgjeron zonën e parkut.
Sipas afateve të parashikuara në ligj, pas 30 ditësh, projektvendimi shkon për miratim në këshillin e ministrave duke u kthyer kështu në një akti ligjor, i cili do të zgjerojë parkun kombëtar në malin e Tomorrit dhe do të ndalojë aktivitetin e nxjerrjes së gurit në zonat që aktualisht janë të pambrojtura.
Top Channel