Në përmbyllje të sezonit turistik, i ftuar në emisonin “Top Talk”, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dha sot një pasqyrim të situatës së turizmit, ku ndër të tjera u ndal te çështja e nxehtë e çmimeve të larta.
Nisur nga ç’deklaroi Klosi, shtrenjtësia lidhet drejtpërsëdrejti me fluksin e madh të turistëve, ku në sytë e tij shihet si një problem tepër shqetësues.
“Shqetësimet vijnë nga numri i shtuar i turistëve, që vijnë në Shqipëri, që disa prej tyre janë të huaj dhe disa vendas. Numri i atyre që e vizitojnë Shqipërinë gjatë 8 mujorit të parë, ka shkuar në 4 milionë e 850 mijë turistë të huaj, që janë 10% më shumë, krahasuar me një vit më parë. Operatorët e agjencive turistike janë të shqetësuar për shkak se pritshmërite e tyre kane qenë më të mëdha. Pothuajse ne 20 ditët e muajit gusht, i gjithë kapaciteti ka qenë i ezauruar. Ku do shkonin më, nuk kishte më dhoma bosh,” tha Klosi.
I pyetur rreth dominimit të plazheve me pagesë kundrejt atyre publike, të cilat një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk arrijnë dot t’i përballojnë, Klosi u shpreh:
“Le të jemi realistë, mos të kërkojmë që të rikthehet shteti, mos të kërkojmë tani dhe të themi po, ne do ta bëjmë që ta menaxhojë plazhin shteti. Ajo që duhet të bëjë shteti është që të vendosë shumë më shumë rregulla loje. Ajo që mund të themi është se këtë vit patëm shumë më shumë hapësira publike për atë shtresë të popullsisë që nuk mundet të shfrytëzojë atë pjesë të plazheve me pagesë”, deklaroi ministri, duke shtuar se vitin tjetër do të ketë një menaxhim ndryshe të vijës bregdetare.
Përsa i përket shtimit të turistëve në vendin tonë, Klosi gjykoi kështu:
“Por ne nuk mund të pranojmë që të jemi një destinacion i lirë për pushuesit e huaj pasi kjo do të na mbipopullojë.”
Në bisedë e sipër, teksa Klosi u pyet se si mund të ishte emërtesa e turizmit shqiptar (ndoshta elitar?!), nisur nga çmimet në vend, përgjigjja qe:
“Nuk është një turizëm i lirë, por ama akoma porsa i përket të huajve jemi një destinacion ku paraja e harxhuar për turizëm ka vlerë, pasi sa kalon nga kufiri verior apo jugor i vendit tonë çmimet trefishohen apo katërfishohen prandaj jemi edhe ne pjesë e kësaj konkurrence. Akoma nuk jemi turizëm i shtrenjtë.”
Top Channel