Kosova përballë Çekisë për Euro 2020/ Trajneri Challandes ‘qan’ mungesat

01/09/2019 22:32

Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë ndaj Çekisë dhe Anglisë në ndeshjet e radhës kualifikuese të Euro 2020. Trajneri Bernard Challandes përballet me mungesat e 5 lojtarëve, por gjithsesi ai pret që skuadra e tij të luajë e bashkuar në këto dy ndeshje dhe të japë maksimumin e saj.

“Do të kemi shumë vështirësi ngaqë mungojnë pesë futbollistë të formacionit. Unë si trajner mund të qaj, mund të ankohem për lojtarët që mungojnë apo mund të vendos për situatën në të cilën jemi dhe është e qartë se unë kam zgjedhur rrugën e dytë, atë që të gjemë një zgjidhje për situatën në të cilën jemi. Ideja ime është që ne të reagojmë si ekip dhe mendoj që nëse reagojmë në këtë mënyrë ashtu do të jemi në gjendje për të përballuar këtë situatë”- tha trajneri i Kosovës, Bernard Challandes.

Challandes theksoi se përfaqësuesja Kosovare duhet të marrë më të mirën e mundshme nga këto dy ndeshje duke shtuar se disa lojtarë nuk janë akivizuar shumë kohët e fundit dhe se ai gjatë kësaj jave do të bëjë vlerësimin e tyre për të marrë edhe një vendim.

“Kemi disa lojtarë që nuk kanë luajtur aq shumë kohëve të fundit. Për mua do të jetë shumë e rëndësishme që t’i shoh nga afër në këtë javë që i kemi në stërvitje, t’i ndjej nga afër përgatitjet e tyre. Në konsultim me trajnerin fizik që e kemi në kombëtaren tonë por edhe me futbollistët besoj që gjatë javës që do të punojmë së bashku, do të jemi në gjendje për ta vlerësuar sa më mirë situatën e gjithsecilit”- vazhdoi më Challandes.

Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë ndeshjen me Çekinë në 7 shtator në stadiumin Fadil Vokrri të Prishtinës, ndërsa në 10 shtator do të luajë ndaj Anglisë në St.Mary Stadium të Southamptonit. Kosova është në grupin A të kualitikueseve të Euro 2020 dhe është në vendin e tretë me 5 pikë, 1 më pak se Anglia dhe Çekia.

Top Channel