LDK refuzon Albin Kurtin/ “Koalicion vetëm me Vjosa Osmanin kandidate për kryeministre”

30/08/2019 18:30

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë vazhduar diskutimet në distancë edhe në orët e fundit para afatit të regjistrimeve të koalicioneve, por pa arritur asnjë marrëveshje.

Kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti ka propozuar një zgjidhje tjetër për postin e kryeministrit, pas atij me rrotacion.

Kurti ka kërkuar që të shkojnë në partneritet në zgjedhje, por postin e kryeministrit ta fitojë kandidati i cili ka më tepër vota nga qytetarët.

Pas këtij propozimi LDK-ja ka mbledhur Këshillin e Përgjithshëm, i cili ka hedhur poshtë këtë mundësi.

Kandidatja, Vjosa Osmani është shprehur se ky propozim e dëmton seriozisht interesin e përbashkët dhe se gara kalon nga me të tjerët në mes tyre.

Osmani ka thënë se janë të gatshëm për koalicion qoftë para apo pas zgjedhjeve, por vetëm me të kryeministre.

“Përgjigjen e kemi dhënë të qartë, ne shpresojmë që lëvizja Vetëvendosje do ta rimendojë qasjen e vetë dhe ta pranojë ofertën tonë që të jemi në koalicion të përbashkët me kandidatë të LDK sepse një listë që siç u tha sot, është pa krye dhe pa orientim”, tha ajo.

Shoqëria civile vlerëson se këto qëndrime tregojnë se interesimi është për koalicion pas zgjedhor.

Deri tani, janë deklaruar zyrtarisht dy koalicione, AAK- PSD dhe Nisma Socialdemokrate-AKR, por asnjëra prej tyre nuk i ka deklaruar ende në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Këto priten të bëhen deri në mesnatë, kur edhe mbyllet afati.

Gazetare: Alberta Hashani

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA