Java e dytë e Superligës mbyllet me fitoren bindëse të Kukësit 3-0 ndaj Flamurtarit në Vlorë. Verilindorët dalngadalë po marrin formë dhe po gjejnë ritmin pas ndryshimeve të pragsezonit në grupin e lojtarëve.

Shkurtaj zhbllokoi ndeshjen me një aksion personal që e finalizoi mjaft bukur, ndërkohë që Flamurtari ishte thuajse inekzistent në fushë, Kukësi shënon edhe golin e dytë me Rrocën, dhe si për ti vënë vulën kësaj situate jo të mirë tek Flamurtari është autogoli i Gocaj që çon shifrat në 3-0.

Me 6 pikë të plota Kukësi i Shpëtim Duros po jep përshtypjen e një skuadre kërcënuese për këdo në këtë sezon, jo vetëm në letër. Partizani merr fitoren e parë të sezonit të ri futbollistik të Superligës dhe e bën këtë gjë pikërisht në Gjirokastër përball Luftëtarit me shifrat 1-0.

Një sukses ky për kampionët e vendit që thyejnë tabunë 22-vjeçare pa fitore ndaj gjirokastritëve. Goli i Telushit në minutën e 15-të ishte i vetmi i takimit që i dha suksesin skuadrës së Lerdës edhe pse pati disa raste të tjera shënimi, duke u kthyer ky në një shqetësim edhe për vetë italianin.

Ndërkohë që skuadra e Luftëtarit vazhdon të vuaj një sezon të filluar jo mirë në organizim dhe organikë, duke regjistruar humbjen e dytë në dy javët e para të kampionatit.

Po me dy humbje e ka filluar këtë sezon edhe skuadra e Laçit. Këtë herë në fushën e tij ekipi kurbinas është mundur 2-1 nga Skëndërbeu. ka qenë një fitore me përmbysje kjo për skuadrën e Ilir Dajës e cila edhe pse e ka filluar kampionatin pa shumë bujë, e sheh veten me pikë të plota në dy javët e para.

Laçi kalon në avantazh me Nuabuezen në pjesën e parë ku edhe e dominoi takimin, por në pjesën e dytë janë korçarët që dominojnë në fushë duke gjetur golin e barazimit me Devi Bregun dhe më pas një gol shumë i bukur i Oto Xhon i jep avantazhin që e administruan deri në fund.

Ndërkohë dy skuadrat e sapo rikthyera në Superligë, Bylisi dhe Vllaznia janë ndalur në një barazim pa gola në stadiumin “Adush Muca” të qytetit të Ballshit.

Skuadra e Bylisit u mund në ndeshjen e parë të kampionatit nga Teuta ndërkohë që Vllaznia është me 4 pikë pas dy javësh pasi në ndeshjen e parë mundi Laçin në fushën e saj.

Top Channel