Paraditja e të hënës e gjeti degën lokale të PD-së në Shkodër, në protestë për të bllokuar konstitumin e këshillit të ri bashkiak.
Kjo situatë e zhvendosi konstituimin e këshillit nga ambientet e universitetit Luigj Gurakuqi në bibliotekën e qytetit. Tentativa e protestuesve demokratë për të çarë kondonin policor u zbraps.
Nisja e mbledhjes të këshillit të ri u shoqërua me kundërshtimet e Greta Bardelit, ish-kryetare e këshillit.
Megjithatë kjo nuk e pengoi vijimin e konstituimit nga ku me 48 vota pro dhe 2 të pavlefshme këtë këshill do ta drejtojë Briseda Kadia. Këshilli i ri bashkiak i Shkodrës ka 51 antarë nga të cilët 40 PS, 9 PSD, 1 Partia e Moderuar dhe një tjetër Demokracia sociale.
Kur gjithçka dukej se kishte mbaruar me konstituimin e këshillit, protesta e demokratëve vijoi duke mos kursyer edhe deputetin Tom Doshi, i cili u godit në distancë me shishe uji.
Doshi ishte i vetmi qe doli nga mjediset e bibliotekës dhe protestuesit e ndoqën për disa minuta deri sa ai hyri në një mjedis privat.
Ndërkohë, kryedemokrati Lulzim Basha tha se “beteja e sotme në Shkodër është beteja e çdo shqiptari që nuk pranon dhunën, hajdutërinë dhe kriminelët e Edi Ramës”. Në Shkodër, Basha kishte dërguar sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, i cili tha se “protesta është një protestë qytetare, nuk është një protestë politike. Ajo që patë atje ishte një cirk i paligjshëm i një qeverie të paligjshme, që ka grabitur me krimin pushtetin qendror, sot tentoi të grabiste, po me krimin, pushtetin vendor.”
Nga ana tjetër, Taulant Balla, sekretar i përgjithshëm i PS-së, pasi ka uruar këshillin e ri bashkiak thotë se Partia Socialiste i shpreh ndjesë komunitetit të nderuar të Bashkisë së Shkodrës për situatën e krijuar pas dorëheqjes së detyrueshme të Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë, duke shtuar se “si në çdo rast, ne qëndruam përtej çdo interesi partiak, politik apo individual, vetëm në anën e ligjit dhe të interesit publik”.
Për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë Shkodër, Taulant Balla kërkon që institucionet e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji duhet të marrin përgjegjësitë që ju takojnë në situatën e krijuar.
Top Channel