Pekini kërcënon gjithnjë e më hapur me ndërhyrjen e trupave ushtarake. Vendimi duket se ende nuk është marrë, sepse çmimi për një ndërhyrje të tillë do të ishte mjaft i lartë, mendon Mathias Bölinger.

Kolona të gjata automjetesh të blinduara qarkullojnë drejt jugut duke i bllokuar rrugët e qytetit kufitar Shenzhen – që nga fillimi i javës në internetin kinez shpërndahen video, që të lenë të kuptosh, se Kina po vendos në kufirin me Hong Kong-un policinë e armatosur, trupa paraushtarake për ndërhyrje të armatosura rëndë. Kjo është një komponente e re e një dekori kërcënues, që po ndërton Pekini prej disa javësh. Mesazhi nga Pekini është: Ne jemi të gatshëm t’i mposhtim me dhunë protestat në Hong Kong.

Frika është biznesi i diktaturës. Të pushtetshmit kanë frikë nga populli dhe i kundërvihen atij që populli të ketë frikë prej tyre. Kina e ka perfeksionuar këtë sistem të demonstrimit të forcës. Shteti ka shumë mundësi për t’ua sjellë në vëmendje qytetarëve gatishmërinë e tij për dhunë – duke nisur nga telefonatat e sigurimit të shtetit tek punëdhënësi, e deri tek ndalimi i udhëtimeve e arrestimet arbitrate e torturat.

Humbet efekti i kërcënimeve
Në Hong Kong udhëheqja kineze po kupton se kërcënimet nuk funksionojnë. Dhjetë javë në radhë vendasit protestojnë nëpër rrugë, por as dhuna e policisë dhe as arrestimet masive apo kërcënimet me dënime drakonike – deri në dhjetë vjet parashikohet dënimi në Hong Kong për ata që marrin pjesë në “trazira” – por kjo nuk i ka stepur demonstruesit. Madje as kërcënimi gjithnjë e më i hapur për një ndërhyrje ushtarake nuk i tremb demonstruesit, kryesisht të rinj. Aktualisht udhëheqjen kineze mund ta përfytyrosh disi të paaftë për të vepruar.

Vërtetë kërcënimet nga Pekini nuk janë bosh. Udhëheqja komuniste para 30 vjetësh në sheshin e “Paqes Qiellore” e dëshmoi, se është e gatshme të qëllojë ndaj popullit të vet, nëse sheh t’i kërcënohen interesat e saj. Pekini nuk njeh skrupull.

Këtë e dinë edhe demonstruesit. Nëse i pyet ata, se a kanë vërtetë një shans, që protesta e tyre të jetë e suksesshme, përgjigja është një “jo” e prerë. Vitet e kaluara Pekini është përpjekur hapur që të zgjerojë influencën ndaj qytetit. Politikanë të padëshiruar të opozitës janë përjashtuar nga Parlamenti, mungesa e respektit ndaj flamurit shtetëror është shoqëruar me dënime me burg, përkrahësit e lëvizjes së demokracisë më 2014-ën u zhdukën nëpër burgje.

Shumë demonstrues nuk kanë iluzione, se ata do të mund ta ndryshojnë këtë tendencë, por protesta në rrugë është për ta një ndjenjë, se ndoshta për herë të fundit kanë shansin ta thonë hapur mendimin e tyre. Ndërsa kryeministrja e Hong Kong-ut paralajmëron, se qyteti “po përfundon në greminë”, demonstruesit kanë ndjenjën se ata gjithsesi ndodhen prej kohësh drejt greminës. Është ndjesia e përhapur, se ata nuk kanë çfarë të humbasin më dhe ajo që bën të zbehet efekti i kërcënimeve nga Pekini.

“Perëndimorët do ta harrojnë atë”
Por në fakt Hong Kong mund të humbasë shumë. Një ndërhyrje do të thoshte fundi i qytetit si një treg ndërkombëtar i financave. Liritë, që ka gëzuar deri tani Hong Kong do të merrnin fund përgjithmonë. Por edhe Pekini nuk do të dilte lehtë prej një aksioni të tillë. Hong Kong është porta më e rëndësishme drejt botës ndërkombëtare të financave për sipërmarrjet kineze. Imazhet e një gjakderdhjeje në rrugët e tij do ta dëmtonin për vite besueshmërinë e Kinës me pretendimin si fuqi botërore, sanksionet e mundshme do ta preknin ekonominë e Kinës në një fazë të vështirë të saj. Në grindjen tregtare me SHBA-në, Kina do të dobësohej masivisht.

Deng Xiaoping, njeriu i masakrës në sheshin e “Paqes Qiellore” i pati hedhur poshtë asokohe rezervat lidhur me reagimet ndërkombëtare ndaj ndërhyrjes kundër demonstruesve me një fjali: “Perëndimorët do ta harrojnë këtë”.

Nëse udhëheqja kineze vërtetë vendos t’i marrë parasysh të gjitha pasojat, as kësaj radhe atë nuk mund ta ndalojë askush. Ajo që mund të bëjnë tani demokratët perëndimorë është, që t’ia bëjnë të qartë Pekinit, se çmimi i dhunës do të ishte vërtetë mjaft i lartë./ Marrë nga DW.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA