Pasditen e sotme i ftuar në “Pushime on Top” ishte sipërmarrësi shqiptar Samir Mane. Përballë Ori Nebiajt, Mane foli gjatë për jetën e tij, pasionet, dëshirat si dhe historinë frymëzuese se si arriti të kthehej në biznesmenin më të suksesshëm në Shqipëri.
Ai tregoi se si nga një shitës televizorësh sot kompanitë e tij kanë rreth 5500 të punësuar. Rrugëtimi ka qenë i gjatë dhe me shumë pengesa, por sot ai është njeriu më i pasur në Shqipëri, aspiratat e së cilit janë bizneset internacionale.
Në këtë rrugëtim kaq të gjatë, a ka ndonjë vendim i cili do ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve nëse Mane nuk do e kishte marrë? Lidhur me këtë ai tregoi që prej disa vitesh tregohet tejet i kujdesshëm me vendimet që merr.
“Në fillimet e mia ka pasur plot raste të tilla, por më pas çdo gjë ka marrë rrjedhën e vet graduale dhe s’do ndryshoja asgjë nga 25 vite më parë deri tani.”
Por sa është paraja e rëndësishme në jetën e tij?
“Paraja te unë ka ardhur rastësisht ndërkohë që punoja dhe është rritur në mënyrë graduale. Paraja është e rëndësishme, por kur arrin në një fazë si puna ime, më e rëndësishme është vlera që t’i krijon me paranë për njerëzit.”
Gjatë bisedës, Mane u ndal edhe tek familja, e sidomos fëmijët. Ai tregoi që edhe pse fatmirësisht kanë një ekonomi të mirë, fëmijët kanë limitet e tyre.
“Ata patjetër kanë limitet e veta. Unë kam lexuar për këtë punë dhe mendoj që kanë limitet e mjaftueshme për shpenzime. Sot kam më shumë kohë të rri me ta sepse strukturat e mia punojnë dhe vetëm të menaxhuara nga 5500 njerëz të punësuar.”
E teksa vitet kalojnë, a e ke menduar Mane daljen në pensionin? Duket se as që e ka ndërmend.
“Nuk besoj se do dal në pension pasi jeta ime është e lidhur me biznesin. Unë do vazhdoj të merrem me këtë punë pasi adrenalina është e madhe.”
Në përfundim, sipërmarrësi tregoi dhe ëndrrën e tij më të madhe të cilën sot e ka realizuar.
“Ka gjithmonë ëndrra dhe sot është pozicioni im dhe ndikimi im në rajon dhe ndërkombëtarisht. Ky është qëllimi im final për tu plotësuar”.
Top Channel