Policia e shtetit, është ndalur në Himarë dhe Pogradec për të vijuar operacionin e koduar “Plazh i lirë”, duke zbatuar në këtë mënyrë planin e posaçëm të masave “për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore”.
Policia e Vlorës, gjatë këtij operacioni ka bërë të mundur lirimin e një hapësirë zonë të mbrojtur në Plazhin e Gjipesë-Himarë, e cila shkon deri në 3000 m2, si dhe rreth 600 metra në Potam e Qeparo. Në total lirohet 3600 metra katror hapësirë plazhi e zaptuar në mënyrë të paligjshme.
Ndërkohë janë sekuestruar rreth 200 shezlongë dhe 100 çadra plazhi, të vendosur në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike. Por gjithashtu janë proceduar 4 administratorë subjektesh për fshehje të të ardhurave, moslëshim të kuponit tatimor dhe pushtim të tokës.
Po gjatë operacionit, Policia procedoi penalisht për shpërdorim detyre drejtorin e taksave të bashkisë së Himarës, pasi dyshohet se ka lejuar dy nga këto subjekte tregtare të ushtrojë aktivitetin në plazh pa u pajisur me kontratë qiraje në Bashki.
Operacioni ka vijuar edhe në Pogradec ku janë proceduar penalisht tre inspektorë të Drejtorisë së Tatim-Taksave për shpërdorim detyre.
Top Channel