Këtë herë Policia e Shtetit e ka shtrirë në Durrës dhe Vlorë aksionin e saj për lirimin e plazheve publike, të zaptuar nga privatët në mënyrë abuzive. Sipas të dhënave zyrtare, raportohet së në këtë qytet janë liruar rreth 2000 metra2 plazh janë proceduar 12 pronarë subjektesh; nga këta 6 në Durrës e 6 në Vlorë, për veprat penale “Zënia e hapësirave publike”, “Fshehja e të ardhurave”, “Moslëshimi i kuponit tatimor”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunimin me Task-Forcën e ngritur nga Prefekti i Qarkut Durrës dhe Policinë Bashkiake, në vijim të punës për monitorimin, kontrollin dhe goditjen e informalitetit, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: L. B., F. B., O. D., F. R., A. C., S. B., të gjithë banues në Durrës.
Procedimi ndaj tyre filloi pasi nga kontrolli i ushtruar, u konstatua se këta shtetas kishin zënë me çadra plazhi, hapësirat publike në bregun e detit, pa leje nga organet përkatëse.
Në Vlorë në vijim të kontrolleve të subjekteve tregtare, të cilat kanë zaptuar plazhet publike bregdetare në mënyrë të paligjshme, Policia ka proceduar penalisht 6 administratorë subjektesh në Radhimë dhe Himarë, konkretisht shtetasit B. D., P. K, M. K, M. Dh., S. Sh., A. Z.,
Policia ka nisur procedimet penale për secilin prej tyre, pasi nga kontrollet e ushtruara në subjektet tregtare në plazhet e Radhimës dhe Gjipesë, është konstatuar se këta shtetas kanë ushtruar aktivitetin “Plazh Privat” me mungesë të theksuar dokumentacioni, nuk lëshonin kuponë tatimorë dhe nuk kishin kontratë qiraje me Bashkitë përkatëse
Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin.
Top Channel