Këshilli i emërimeve në drejtësi nisi intervistimin e gjashtë kandidatëve për në Kushtetuese të cilët kanë shprehur interes për pesë nga vakancat e shpallura nga Presidenti dhe Kuvendi.
I pari që u pyet nga anëtarët e KED ishte prokurori i krimeve të rënda Besnik Muçi, i cili ka shprehur interes ndërkohë edhe për Prokurorinë e Posaçme SPAK. Intervistimi i Muçit që ndërkohë pret seancën e apelimit të vettingut në KPA , u zhvillua me dyer të mbyllura.
Por në garë për në gjykatën Kushtetuese janë edhe pesë pretendentë të tjerë, që gjithsej pritet të renditen jo për gjashtë vakancat e shpallura, por për pesë pasi shumica e tyre kanë shprehur interes për disa nga vendet bosh të mbetura në Kushtetuese dhe diçka e tillë do të sjellë vështirësi në renditjen e tyre dhe më pas në procesin e emërimit që i takon Presidencës dhe Kuvendit.
Të premten Këshilli i emërimeve në Drejtësi do të intervistojë Arta Vorpsin, Elsa Toskën, Fiona Papajorgjin , Regleta Panajotin dhe Marsida Xhaferllarin, kjo e fundit pretendente edhe për postin e inspektoriatit të lartë të drejtësisë.
Si kandidatë drejt Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë janë përveç Xhaferllarit edhe Artur Metani, Artur Malaj dhe Eris Hysi të cilët sërish do t’i nënshtrohen pikëzimit. Në këtë pikë i takon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të vendosë nëse do rishpallë sërish të hapur garën për inspektoriatin e lartë të drejtësisë në mënyrë që të ketë në garë 5 kandidatë, apo pas pikëzimit do ja dërgojë emrat e renditur parlamentit.
Por përsa i përket gjykatës Kushtetuese , dhe shprehjes së interesit për pesë nga gjashtë vakancat dhe numrit të pakët të kandidatëve të ngelur në garë, me shumë gjasë këshilli i emërimeve në drejtësi pasi të përfundojë intervistimin pritet t’i drejtohet sërish Kuvendit me kërkesën për të rishpallur vakancën e ngelur nga shkarkimi i gjyqtarit Kushtetues Fatos Lulo, për zëvendësimin e të cilit në garë nuk ka mbetur asnjë kandidat.
Në këtë pikë kapitulli i gjykatës Kushtetuese për tu plotësuar mbetet i hapur pasi tre nga vakancat i takojnë gjykatës së lartë.
Top Channel