Universi është drejt fundit. Ky fund është i pashmangshëm dhe s’ka asgjë që dora e njeriut mund të bëjë për ta parandaluar.
Deri këtu thuajse i gjithë komuniteti i shkencëtarëve të bie dakord. Ajo që ndan në disa grupe është koha kur dhe si do të mbërrijë ky fund.
Për disa ky proces nuk ka nisur ende, për të tjerë procesi ka nisur dhe fundi i asaj që njohim e shohim është më afër nga sa mendohej.
Një studim thotë se përshpejtimi i përhapjes së universit dhe rritja e pranisë së asaj që njihet si “materia e zezë” (forcë misterioze që tregon se si përhapet e zgjerohet universi, që askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë është në të vërtetë) tregojnë që brenda dhjetëra miliardë vitesh, galaksitë do fillojnë të përplasen me njëra-tjetrën.
Pikërisht ky do të jetë edhe fillimi i fundit të pashmangshëm. Për një njeri dhjetëra miliardë vite janë shumë, shumë më shumë, por për ‘kohëmatësin’ kozmik kjo periudhë cilësohet si relativisht e shkurtër.
Teoria e hedhur është vepër e një studimi të një grupi shkencëtarësh britanikë dhe amerikanë. Studimi është publikuar në “phys.org” dhe grupi i shkencëtarëve thotë se po përpiqet të sigurojë më shumë të dhëna për të dalë me një datë më të saktë për fundin e universit.
Askush nuk e di me siguri se si do të mbërrijë ky fund. Tri janë teoritë kryesore; përthithja e madhe, ngrica e madhe dhe shkërrmoqja e madhe.
E para thotë se në fund graviteti do të jetë aq i fortë sa universi do të ndalojë përhapjen e tij dhe do nisë procesi i anasjelltë; përthithja që do të shoqërohet me përplasje galaksish, yjesh e planetesh.
Teoria e dytë thotë se materiet nuk do të shpërbëhen, por përhapja me shpejtësi e universit do të rrisë radiacionin duke i dhënë fund jetës.
Teoria e tretë shkon në kah të kundërt me teorinë e parë. Sipas kësaj teorie, që ka edhe mbështetësit më të mëdhenj, kur përhapja e universit të jetë më e fortë se forca e gravitetit, atëherë galaksitë, yjet dhe planetet do të humbasin ekuilibrat që i mbajnë duke përfunduar në një kaos të vërtetë.
Top Channel