Të shijosh një film nën qiell të hapur, para një ekrani të madh dhe i ulur në arenën e Amfiteatrit Antik, aty ky mijëra vjet më parë gladiatorët ndesheshin mes tyre për të argëtuar paraardhësit tanë të lashtë që mbushnin shkallaret e këtij amfiteatri.

Ky është propozimi i kësaj vere që vjen nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Durrës në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës.

“Duam të afrojmë turistët e shumtë të huaj që ndodhen në qytetin tonë, po dhe ata vendas e qytetarët durrsakë që të vijnë e të shohin filmat e të marrin kënaqësi nga një pjesë e kulturës italiane dhe të trashëgimisë së kulturës sonë. Amfiteatri Antik është një mrekulli. Kjo është një nga risitë e veçanta të këtij sezoni. Të shijosh një film duke parë dhe Amfiteatrin. Është një magji më vete”, shprehet drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, Alban Ramohitaj.

Mbrëmjen e kaluar, të apasionuarit pas kinemasë ndoqën filmin komedi “L’Arbitro”, një realizim i vitit 2013 me regji e skenar të Paolo Zuça. Në 2010, në Durrës, qytetin pa kinema, ishte Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit që shfrytëzoi arenën e Amfiteatrit për të përjetuar magjinë e ekranit të madh në qiell të hapur.

Ky përjetim rikthehet këtë verë, çdo të mërkurë në mbrëmje, deri më 4 shtator me shfaqjen e filmave italianë, si një mundësi më shumë për të shijuar bukur netët e gjata të verës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA