Nga selia blu, ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi akuzoi kryeministrin Rama se ka mashtruar studentët, sa i takon paktit për universitetin.
Në një konferencë për mediet, Boçi tha se për këtë vit akademik nuk ka as përgjysmim për ‘Bachelorin’ as rishikim të tarifave të masterit.
Boçi i cili mban edhe pozicionin e kreut të Departamentit për Arsimin në Partinë Demokratike deklaroi se i Ramës i hartuar me nxitim për të zbutur zemërimin studentor, është akt tradhtie, mashtrimi e poshtërsie ndaj kërkesave të tyre.
Deklarata e plotë e Luçiano Boçit:
Tarifat e miratuara për studentët e ciklit të parë dhe të dytë, dëshmojnë qartë mashtrimin e madh të Ramës ndaj kërkesave legjitime të studentëve, të shpalosura në protestat e dhjetorit, për uljen e tyre.
Për këtë vit akademik pra nuk ka as përgjysmim për bachelorin, siç u premtua e as rishikim të tarifave të masterit.
Studentët dhe familjet e tyre do të paguajnë si më parë, pikë për pikë të gjithë mundin dhe djersën e tyre, për shkollimin e fëmijëve, sepse Rama dhe klientët e tij duan të majmen me koncesione e PPP-ra me paratë e qytetarëve e studentëve.
Për këtë arsye, për arsye të pamundësisë ekonomike, mijëra të rinj, që vijnë nga familje me të ardhura modeste, nuk do të mund të ndjekin studimet e larta, duke iu dorëzuar rrugës e papunësisë.
Qindra të tjerë do të detyrohen të ndërpresin studimet e nisura, për t’iu dorëzuar skllavërisë moderne për të mundësuar pagesën e haraçit që i kërkon Rama.
Mijëra do jenë gjithashtu dhe ata studentë që për arsye të tarifave më të larta se në Gjermani, Itali e kudo në Europë, do të ndërpresin ëndrrat për një master profesional apo shkencor.
Po për shkak të absurdit të tarifave të larta, mijëra maturantë sivjet do ti drejtohen eksodit akademik drejt vendeve të Europës, duke iu bashkangjitur ushtrisë së 50 mijëve që janë larguar në këto gjashtë vite për të mos u kthyer më kurrë në Shqipëri.
Të tjerë bashkëmoshatarë të tyre po për arsye ekonomike por dhe të mesatares antikushtetuese do t’i drejtohen universiteteve më të lira të rajonit.
Pra pakti për Universitetin i Ramës i hartuar me nxitim për të zbutur zemërimin studentor, u dëshmua të jetë një akt tradhtie, mashtrimi e poshtërsie ndaj kërkesave të tyre.
Sot asnjë nga kërkesat e studentëve dhe pikat e parashikuara si premtim, nuk rezultojnë të plotësuara.
Mashtrim është Karta e studentit me shërbime që nuk lehtësojnë barrën ekonomike të studentëve.
Mashtrim gjendja e konvikteve, e ambienteve universitare.
Mashtrim vetTingu për plagjiaturat që u katandis në emërimin e plagjiatëve deri Kryetarë Bashkie siç ishte rasti i Beratit.
Mashtrim është siç dëshmohet dhe ulja e tarifave.
Me Edi Ramën nuk ka të sotme e të ardhme për të rinjtë tanë.
Ai duhet larguar një orë e më parë.
Partia demokratike është e vendosur në programin e saj për:
Anulimin e Ligjit antikushtetues të arsimit të Lartë, nga ku burojnë shumë arbitraritete.
Dyfishimin e buxhetit për arsimin e lartë, nga 36 milionë euro që është për vitin 2019 në 72 milion euro.
Kjo do të bëjë të mundur që:
– së pari të gjithë studentët që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra të përfitonin subvencionin në masën 100 % të tarifave për bachelor e master.
– Së dyti, për të gjithë të tjerët do të ketë përgjysmim të tarifave për bachelor dhe master.
– Së treti do të akordohen mjaftueshëm para për 5 mijë bursa sociale për t’i mundësuar studimin me të gjitha shpenzimet atyre që janë në gjendje ekonomike katastrofale.
– Nën drejtimin e vendit nga PD, nuk do të ketë asnjë vajzë apo djalë shqiptari që do të mbeten pa studiuar për shkak se familja e tyre nuk ka mundësi ekonomike.
– Mbështetja do vazhdojë me stazhet për 10 mijë studentë me një pagesë 300 mijë në muaj
– Mbështetje financiare për degët prioritare e të mbrojtura.
– Mbështetje financiare për ekselentet dhe studentet nga familjet në nevojë. Deklaroi Luçiano Boçi nga Selia Blu.
Top Channel