Në vendin tonë jo të gjitha pikat doganore janë të pajisura me skaner, por kjo nuk i pengon aspak që t’u vjelin kamionëve tarifën prej 22 euro edhe pse nuk skanohen. Edhe atëherë kur ndodh procesi i skanimit zgjat me ditë duke i lënë kamionistët të presin në radhë të gjata.
Nisur nga ankesa e kamionistëve Fiks Fare iu rikthye edhe njëherë temës së skanimit në dogana të kontenierëve që hyjnë në vendin tonë. Ky shërbim është dhënë me koncesion shoqërisë “Rapiscan security,” ne vitin 2013 ku me shpejtësi u miratua ligji nr 123/2013 ” për miratimin e kontratës nëpërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërisë ‘Rapiscan Security’ si koncesionar për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”.
Kontrata asokohe që u nënshkrua në fund të mandatit qeverisës, të cilat rrethohen me dyshime mbi mënyrën sesi u operua. Kontrata për këtë koncesion u dha për 15 vjet dhe në të gjithë vendin u instaluan 5 skanerë në pikat kryesore doganore në Durrës, Morinë, Qafë Thanë, Kakavijë dhe Kapshticë kundrejt tarifës prej 39 euro për çdo skanim. Në 5 pika doganore nuk ka fare skaner, por të gjitha maunet që kalojnë duhet ta paguajnë tarifën, sepse në të kundërt nuk hapet faqa e aplikimit. Ndërkohë që në asnjë vend të Europës këtë shërbim nuk e ka dhënë me koncesion tek privati, por atë e disponojnë vetë administratat doganore.
Fiks Fare vëzhgoi disa nga këto pika doganore që nga Tre Urat , Qaf Botë ku në muaj kalojnë rreth 20-30 kamion, por edhe pse skaneri mungon, kamionistët janë të detyruar ta paguajnë tarifën prej 22 eurosh. Edhe në Portin e Vlorës ku fluksi i kamionëve është edhe më i madh rreth 300 të tillë në muaj nuk skanohen , pasi skaneri i lëvizshëm që gjendet në këtë pikë , prej vitesh nuk punon si pasojë e një defekti. Këtë përveç kamionistëve e pohojnë edhe vetë policët e pikës doganore që nuk ka skaner në këtë port për maunet.
Por ajo që i shqetëson më shumë kamionistët përveç pagesës është radha e gjatë që duhet të presin për këtë proces që nuk funksionon. Njëri prej tyre Sinan Muça shprehet se ditët e marta , të mërkura , të premteve dhe të dielave nuk kalohet për skaner.
” Vijnë rreth 300 e ca makina , ku 200 prej tyre janë kamion që ikin për eksport ose që vijnë e dalin me risk. Të gjithë sikur nga 10 minuta ta zëmë për skanim i bie qe në të rrimë në radhë minimumi 2 ditë. Skaneri nuk është për drogë se nuk e gjen dot policia direkt dhe justifikohet me futjen e çdo mjeti në skaner, puna është se çfarë faji kemi në që rrimë në radhë ditë e natë” shprehet kamionisti.
Edhe në Portin e Durrësit është e njëjta procedurë jo vetëm me kamionët nga Shqipëria por edhe ata që vijnë e ngarkohen apo dalin nga Kosova. Tarifa paguhet po njësoj. Ndërsa në Qafë Thanë kamionistët e pyetur nëse hynin apo jo në skaner në Maqedoni u shprehen se nuk disponon Maqedonia skaner dhe nuk paguajnë as tarifë, e kundërta ndodh në vendin tonë.
Në lidhje me këtë shqetësim Fiksi pyeti presidentin e Shoqatës së Transportuesve Ndërkombëtarë të Mallrave (ANALTIR), z.Ilir Mataj. Ai e cilësoi një padrejtësi të madhe pagesën e tarifës së skanerit për transportuesit ndërkohë që nuk ka skaner. Ai problemin e skanimit e cilëson si problem doganor dhe s’ka pse të paguajnë transportuesit apo ndonjë përgjegjës malli për operacionet që duhet të bëhen nga dogana. ” Ne vendet e tjera skanimi bëhet në raste shumë të rralla dhe kryhet me zgjedhje, tek ne nuk përjashtohet askush të gjithë duhet të paguajnë tarifën” përfundon ai duke mos anashkaluar radhët e gjata që janë të detyruar shoferët të presin.
Ndërkohë që për koordinatorin e Ministrisë së Financave z. ilir Mino qëllimi i skanimit behët për të parandaluar trafikimin e mallrave të ndryshme që mund të jenë të kundra ligjshme. i pyetur edhe për pikat doganore që nuk ka skaner, por sërish transportuesit e mallrave duhet të paguajnë tarifën , z. Mino justifikohet që kështu e ka ligji, “pagesa bëhet në deklaratën doganore pavarësisht se ku behet ajo”.
Top Channel