Shpëtim Duro është zyrtarisht trajneri i ri i Kukësit. Klubi verilindor nuk ka humbur shumë kohë dhe menjëherë bëri prezantimin e tij në paraditen e kësaj të enjteje me Duron që shprehu kënaqësinë për këtë mundësi që iu dha
“Puna e trajnerit është përgjegjësi në çdo skuadër. Te Kukësi është përgjegjësi edhe më e madhe, sepse në këto 6-7 vite është një nga skuadrat më të mira në kampionatin shqiptar. Është një kënaqësi të marr drejtimin dhe falënderoj drejtuesit dhe presidentin Gjici për besimin ndaj meje. Pozitive është që është fillimi i kampionatit. Kjo është pozitive për një trajner, për projektin e tij, për gjithë sezoni”, shprehet trajneri Shpëtim Duro.
Trajneri Duro theksoi gjithashtu se është i kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion dhe se ajo nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha përveç rasteve kur do të ketë largime.
“Nuk ka arsye për të ndërhyrë fuqimisht në ekip. Do ketë ndonjë largim që do zëvendësohet. Skuadra është cilësor”, shtoi ai.
Për sezonin e ardhshëm, skuadra për t’u mundur në Kategorinë Superiore është pikërisht Partizani, një ekip të cilin Shpëtim Duro e njeh shumë mirë
“Kam punuar te Partizani dhe jam rritur atje, por jemi profesionistë. Nuk e mohoj të shkuarën, por tani do të bëj të pamundurën për të ndihmuar Kukësin që të arrijë objektivat”, ka thënë më tej Duro.
Top Channel