Incidentet dhe zhvillimet e sotme në Teatrin Kombëtar të cilat tërhoqën me të drejtë vëmendjen e opinionit publik dhe të aktorëve politikë, u komentuan edhe në studion e ‘Top Tolk’ ku i ftuar i gazetarit Denis Dyrnjaja ishte Avokati Adriatik Lapaj, aktivist i shoqërisë civile.
Paralelisht me intervistën në studio, Dyrnjaja u lidh edhe me aktorin dhe regjisorin Edmond Budina në ambientet e Teatrit Kombëtar, aty ku prej mesditës shumë artistë dhe qytetarë janë ‘ngujuar’ për të mos lejuar shembjen e godinës.
E ndërsa më herët gjatë ditës Kryeministri Rama i cilësoi minorancë të gjithë artistët, politikanët dhe protestuesit që hynë sot brenda ambuenteve të Teatrit Kombëtar, Avokati Adriatik Lapaj e sfidoi publikisht që për këtë çështje sensitive të vendoset me anë të një referendumi popullor.
“Kryeministri mqs e çon debatin në rrafshin e numrave, për herë të parë pas shumë kohësh unë jam dakord me z. Edi Rama. Le ta vendosë mazhoranca, këtë mendoj edhe unë dhe këtë duan besoj të gjithë qytetarët. Ky është një debat i stërzgjatur që të gjithë jemi dakord që të vendoset nga mazhoranca dhe mazhoranca janë numrat. Unë dhe një pjesë e madhe e qytetarëve interpretojmë që 15% e qytetarëve që kanë votuar dhe kanë dalë së fundmi për të votuar këtë mazhorancë nuk mund të jenë shumica absolute e qytetarëve Shqiptarë. Në këtë kuptim, e sfidojmë Kryeministrin që kjo çështje për herë të parë të shkojë në referendum kombëtar dhe ta ndajnë qytetarët. Ka mekanizëm më të pastër se kaq? I bëjmë ne firmat por mqs e propozoi Edi Rama, i bën edhe ai me partinë e vet”, theksoi ndër të tjera Lapaj.
Avokati njëherazi aktivist i shoqërisë civile, tha më tej se kishte 5 ditë që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e priste këtë ndërhyrje të qeverisë, për këtë arsye qytetarët kishin filluar të qëndronin me turne për të mbrojtur godinën. Po përse po nxiton qeveria më këtë projekt sipas tij?
“Ata po nxitojnë sepse e dinë që nëse nuk e bëjnë tani nuk do e bëjnë dot më. Ata këmbëngulën që vjet, donin ta prishnin që vjet por nuk ja dolën dot sepse ky ligj në gjykimin tonë është antikushtetues sërish edhe pse është riparë. Me krijimin e Gjykatës Kushtetuese ata e dinë që ka një probabilitet shumë të lartë që ligji të rrezohet në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi avokati Adriatik Lapaj.
Top Channel