Simon Yates është fituesi i etapës së 15 të Turit të Francës, Limoux-Foix Prat D’Albis, 185 km e gjatë. Edhe kjo etapë ashtu sikurse edhe ajo paraardhëse u zhvillua në Pirenej me çiklistin britanik, që bëri më të mirën në këtë itinerar duke e kaluar i pari vijën e finishit me kohën 4 orë 47 minuta e 4 sekonda.
Pas Yates, në vendin e dytë u pozicionua pikërisht fituesi i etapës së 14, Thibaut Pinot, me 33 sekonda më shumë, ndërsa vendi i tretë ishte për spanjollin Mikel Landa, edhe ky me 33 sekonda më shumë se Simion Yates.
Ai që u shfaq në vështirësi në këtë etapë ishte pikërisht lideri i Turit të Francës, Julian Alaphillipe që u rendit në vendin e 11 duke humbur terren kundrejt kampionit në fuqi, Geraint Thomas.
Tashmë diferenca mes Alaphillipe që vazhdon të jetë në krye të renditjes së përgjithshme, me britanikun Thomas në vendin e dytë është reduktuar në 1 minutë e 35 sekonda, ndërkohë që në vendin e tretë ndodhet holandezi Kruijswijk.
Top Channel