Të treja ekipet shqiptare, Kukësi, Teuta dhe Laçi dështuan në aventurën e tyre në Europa League duke u eliminuar që në raundin e parë kualifikues të kompeticionit.
Skuadra verilindore priti në Elbasan Arena, Debrecenin me të cilin barazoi me rezultatin 1-1, ndërkohë që ndeshjen e parë e kishte humbur 3-0. Skuadra e Ernest Gjokës e mbylli pjesën e parë me avantazhin 1-0 me golin e Ethemit i cili në minutat e fundit të pjesës së parë mund të kishte shënuar edhe golin e dytë që do të rriste akoma më shumë moralin e skuadrës.
Por në pjesën e dytë Debreceni barazoi rezultatin me Szatmarin duke i mbyllur përfundimisht llogaritë e kualifikimit për në raundin tjetër teksa regjistroi rezultatin e përgjithshëm 4-1. Ndërsa Teuta e la Europa League të paktën me 1 fitore. Skuadra durrsake mposhti Ventspils 1-0 me golin e bukur të Kallakut të shënuar në fillimin e pjesës së dytë, një rezultat ky që i dha mundësinë skuadrës letoneze të kalojë për më tej me rezultatin e përgjithshëm 3-1.
U dorëzua në raundin e parë kualifikues të Europa league edhe Laçi, që pasi barazoi 1-1 në sfidën e parë me Hapoel Beer Sheva, në ndeshjen e luajtur në Izrael u mund 1-0 me golin e shënuar nga Sabag në minutën e 69. Pas këtyre rezultateve, futbolli shqiptar ka mbetur me vetëm 1 përfaqësues në Evropë, Partizanit që pas eliminimit në Ligën e kampioneve, do të luajë në Europa League me Sherifin e Tiraspolit.
Top Channel