Peshkaqenët, grabitqarët më të mëdhenj të detit prej miliona vitesh, rrezikojnë të zhduken nga Mesdheu, si pasojë e peshkimit të tepruar dhe për faktin se ndotja plastike po rritet gjithnjë e më shumë.
Fondi për jetën e egër, thotë se më shumë se gjysma e peshkaqenëve dhe raxhave në Mesdhe, janë nën kërcënim dhe thuajse një e treta e tyre janë në prag të zhdukjes.
Në një raport të publikuar në ditën e ndërgjegjësimit për peshkaqenët, veçohet Libia dhe Tunizia si fajtorët kryesorë, në rrjetat e peshkatarëve të të cilëve përfundojnë 4200 tonë peshkaqenë në vit, tre herë më shumë nëse do të krahasohej me një tjetër vend të Mesdheut, Italinë.
Ndërsa disa specie janë në shënjestër për ushqim, pjesa më e madhe e peshkaqenëve të kapur në Mesdhe, përfundojnë gabimisht në rrjeta.
Më shumë se 60 specie peshkaqenësh përfundojnë në rrjetat e peshkimit në Mesdhe. Për më tepër, ndotja plastike në rritje, po rrezikon popullatat e peshkaqenëve.
Peshkaqenët gjenden në dete prej më shumë se 400 milionë vitesh dhe janë veçanërisht vulnerabël ndaj reduktimit të popullatës, për shkak të maturimit të tyre të ngadaltë dhe periudhave të gjata të ngjizjes.
Top Channel