
Franca e aprovoi taksën mbi shërbimet digjitale, pavarësisht kërcënimeve të Presidentit amerikan, Donald Trump, se SHBA-ja do ti përgjigjet atij që konsiderohet si shënjestrim i gjiganteve amerikane të teknologjisë.
Taksa prej 3% mbi të ardhurat e kompanive si Google dhe Facebook brenda vendit, e ka marrë dritën jeshile. Parisi argumenton se këto firma aktualisht shfrytëzojnë vakumet e taksave globale.
Gjigantët e teknologjisë mund t’i vendosin selitë e tyre në vendet me taksa të ulëta, ku deklarojnë fitime të bëra në mbarë botën, duke minimizuar kështu faturën e tyre tatimore.
Me taksën e re në Francë, çdo kompani digjitale me të ardhura prej më shumë se 750 milionë eurosh, nga të cilat të pakten 25 milionë gjenerohen brenda vendit, do të jetë subjekt i tatimit.
Ndërkohë Trumpi ka urdhëruar që te hetohen efektet e këtij legjislacioni dhe të përcaktohet nëse është diskriminues apo i paarsyeshëm, dhe kufizon tregtinë e Shteteve të Bashkuara, pohoi përfaqësuesi amerikan i tregtisë, Robert Lighthizer.
Hetimi i SHBA-së mund të hapë rrugën për tarifa ndëshkuese, që Presidenti i ka ndërmarrë në disa raste që nga marrja e detyrës, në janar të vitit 2017.
Top Channel