Top Talk/ Nishani: Për 30 qershorin vendos Kushtetuesja. Përcaktimet kushtetuese janë demontuar shumë herë nga politika

10/07/2019 16:02

Sot prezent në Top Talk ishte i ftuar ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani, i cili foli mbi aktualitetin politik që prek disa çështje brenda njëra-tjetrës sikurse është efekti që prodhoi dekreti i presidentit Meta për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve të 30 Qershorit, marrëdhëniet me mazhorancën dhe kriza e pazgjidhur politike.

Gazetari Denis Dyrnjaja e pyeti se çfarë do të kishte bërë zoti Nishani me 30 Qershorin, nëse më herët do e kishte dekretuar si datë zgjedhjesh. Ish-presidenti tha se nuk mund t’i japë përgjigje kësaj pyetje pasi rrethanat dhe situatat janë të ndryshme.

“Së pari askush nuk mund të gjykojë për një veprim konkret, në një situatë hipotetike. Kam pasur qëndrimet e mija gjatë kohës që isha në zyrën e Presidentit të Republikës. Rrethanat janë të ndryshme, situatat janë të ndryshme, interpretimet janë të ndryshme. Institucioni i Presidentit të Republikës, me atë që i ka dhënë të drejtë jo vetëm Kushtetuta por edhe një sërë laburimesh të parashikimeve kushtetuese që kanë ardhur nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës konsiderohet si interpretuesi i parë i Kushtetutës. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë forcën e ligjit të Shqipërisë, kanë parashikuar dy mekanizma të interpretimit kushtetues; një është interpretuesi paraprak, që është Presidenti i Republikës dhe së dyti , që është edhe përfundimtari, është Gjykata Kushtetuese Për sa kohë që ende nuk kemi një gjykim nga Gjykata Kushtetuese si interpretuesi dhe vendimmarrësi përfundimtar për qëndrimin e Presidentit të Republikës, Presidenti ka të gjithë tagrin që të bëjë interpretimin kushtetues. Në fund fare është Gjykata Kushtetuese ajo që do të përcaktojë nëse qëndron në fuqi interpretimi i Presidentit të Republikës apo rrëzohet dhe hyn në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha Bujar Nishani.

Më tej ish-Presidenti bëri një interpretim për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe vendimit të Ilir Metës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke thënë se ky i fundit është mbështetur tek parimet e Kushtetutës. Gjithashtu, Nishani tha se disa raste, përcaktimet kushtetuese në Shqipëri janë demontuar dhe zhbërë në mënyrë të njëanshme.

“Nuk është Kushtetuta ajo që përcakton datat por Kodi Zgjedhor. Ligji zgjedhor mbështetet në parime në Kushtetutë, por Kodi Zgjedhor është ai që përcakton datat dhe afatet. Ka një përplasje dhe betejë, mes parimeve kushtetuese, që iu është referuar edhe Presidenti i Republikës; si garantimi i pluralizmit politik dhe i të drejtës për të zgjedhur dhe i datave që përcakton ligji zgjedhor. Hierarkinë e jurisprudencës në çdo vend, Kushtetua është ajo që prevalon mbi çdo gjë tjetër, pavarësisht se ligji zgjedhor është miratuar në Parlament me shumicën kualifikues, me 3/5, Kushtetuta prevalon. Pra çështja të kalojë në Gjykatën Kushtetuese, ky element i rëndësishëm i doktrinës juridike, do jetë një nga elementët që do ndikojnë në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, që për fatin tonë të keq në disa raste, përcaktimet kushtetuese në Shqipëri janë demontuar dhe zhbërë në mënyrë të njëanshme”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA