Pacientët vuajnë mungesën e vaksinës së tetanosit jo vetëm në spitalet dhe farmacitë e Tiranës, por edhe në spitalet e farmacitë e qyteteve të tjera.
Prej muajsh të tërë në disa shërbime ambulatore dhe farmaci mungojnë serumi anti- tetanik dhe ai anti-viper.
Fiks Fare bëri një vëzhgim mbi farmaci në gjithë vendin dhe në qendra shëndetësore, ku tregohet se këto medikamente janë në mungesë prej 6-7 muajsh. Farmacitë që e disponojnë atë që numërohen me gishta, e kanë pa pullën e Agjencisë Kombëtare të Barnave, pra janë për shërbim spitalor.
Në Fiks Fare mbërrin një ankesë nga qyteti i Sarandës për mungesën e serumit anti-tetanik , por gazetarët e emisionit konstatuan se kjo problematikë shtrihet në të gjithë Shqipërinë.
Në Tiranë gazetarët shkuan në disa qendra shëndetësore të ndryshme dhe në asnjë prej tyre nuk kishte tetanos. Mjeket dhe infermieret raportojnë se medikamenti ka kohë mbi 6-7 muaj që nuk është i pranishëm dhe se pacientët i drejtonin drejt farmacive për ta siguruar. Gazetarët shkuan në disa farmaci të zonave të ndryshme në Tiranë si në Kamëz, Kombinat dhe të gjitha farmacistet u shprehen se preparati është në mungesë në treg.
Por gazetarët e Fiksit u sinjalizuan se ka farmaci që mund të gjendet tetanosi, madje një prej farmaciste e pohon se përderisa depot farmaceutike nga të cilat farmacitë furnizohen nuk e kanë sjellë prej muajsh këtë preparate, mbetet vetëm t’i marrin nga spitalet e t’i shesin në të zezë.
” Përderisa depot nuk kanë , sado që të ketë marr furnizim tetanosi është në mungesë prej 7 muajsh dhe nuk ka mundësi ta ketë, por i marrin nga spitalet që janë medikamente për përdorim spitalor dhe i shesin” shprehet një prej farmacisteve.
Pikërisht një prej këtyre farmacive solli Fiks Fare ku kundrejt çmimit prej 600 lekësh arrijnë të gjejnë një flakon tetanosi në një farmaci në Yzberisht.
Flakoni ishte pa pullë. Farmacistja pyetjes së bashkëpunëtorit të Fiksit se si e kishte siguruar preparatin, i përgjigjet se e ka pasur aty nga furnizimet e mëparshme dhe se vetëm dy copë i kanë mbetur.
Edhe më e keqe situata paraqitet në rrethe bregdetare si Durrës, Vlorë, Kavajë. Në Durrës farmacitë nuk kanë as tetanos, as anti-viper. Ndërsa në poliklinika dhe në Urgjencën e plazhit ka tetanos, por mungon anti-viperi.
Edhe në Golem situata paraqitet e njëjta por një farmaciste shprehet se medikamentet mund të gjenden vetëm në farmacitë e mëdha të cilat i fusin ato kontrabandë .
Edhe në Rrogozhinë, në urgjencë aty ku janë mëse të domosdoshme ka mungesë të tetanosit dhe të gjithë pacientët i udhëzojnë që ta sigurojnë atë duke e blerë në farmaci edhe pse këto të fundit kanë mungesë për vete.
As Spitali rajonal i Elbasanit i cili ka një numër të konsideruar pacientësh edhe nga rrethet përqark nuk ka serum anti-tetanik dhe atë anti-viper. Të njëjtin fat kanë edhe shumica e farmacive me përjashtim të njërës që ndodhet ngjitur me spitalin. Aty gjendej tetanosi por nuk kishte anti-viper.
Farmacistja kur bashkëpunëtori i Fiksit kërkon anti-viper i rekomandon të marri tetanosin në vend të anti- viperit pasi nuk ka problem.
Top Channel