Në orën 12 të mesditës të së martës anëtaret e kabinetit të ri qeveritar janë betuar sipas mënyrës fetare tradiconale duke vendosur dorën mbi ungjill nga kryepeshkopi grek Jeornimos nën prezencën e presidentit Pavlopoulos.
Pamjet e ceremonisë dhe të mbërritjes së kryeministrit Mitsotakis, 18 ministrave, 2 ministrave plotësues dhe 29 zv/ministrave të shoqëruar nga pjesëtaret e familjeve të tyre, janë transmetuar direkt nga tëgjitha mediat vendase.
Ka pasuar dorëzimi i posteve nga ministrat e qeverisë Tsipras tek anëtarët e rinj të kabinetit dhe portofoli i parë që është marrë ka qenë ai i Ministrisë së Jashtme ku kreu i ri i diplomacisë Nikos Dhendias ka theksuar se politika e jashtme nuk duhet të jetë subjekt i konfrontimit partiak.
“Qeveria Mitsotakis do të kërkojë konsensusin në politikën e jashtme duke synuar unitetin me te madh dhe të fuqishme kombëtar, në çështjen sublime të mbrojtjes së të drejtave të vendit”, ka thënë Dhendias.
Në një moment të tensionuar të marrëdhënieve greko-turke, ministri i Mbrojtjes Nikos Panajotopoulos, pas marrjes së detyrës ka theksuar se Greqia nëse do të sfidohet do të përgjigjet me vendosmëri.
Ndërsa ministri i ri i Financave, Christos Staikouras duke pranuar se do të mbajë hapat pozitivë të qeverisë Tsipras, përcaktoi prioritetet e qeverisë re.
“Do të përpiqemi të reduktojmë pasigurinë, të kufizojmë rreziqet dhe të krijojmë vende pune shumë me cilesore. Qëllimi ynë kryesor është krijimi i kushteve për një zhvillim ekonomik të lartë dhe të qëndrueshëm me financa publike të shëndetshme dhe një sektor bankar të qëndrueshëm”, u shpreh Staikouras.
Mbledhja e pare e kabinetit qeveritar në të cilin ndodhen vetëm 5 gra zhvillohet mëngjesin e së mërkurës, nën kritikat e para të opozitës për shumë prej emrave që përbëjnë skemën qeveritare me të cilën kryeministri Mitsotakis do të udhëheqë vendin gjatë mandatit te tij.
Top Channel